Spekulimet rriten tash që afati kalimtar i janarit është i hapur. Por, klubet duhet të jenë të kujdesshme të mos shpenzojnë para të çmendura për blerje paniku në dimër.
Në verë, disa klube – përfshirë Arsenalin, Tottenhamin e Newcastle Unitedin – kanë mbishpenzuar.
Ndërsa ka arritur faza e gjysmës së stinorit, më poshtë janë disa nga transferimet më të këqija të stinorit 2019-20 deri më tash, shkruan sot Koha Ditore.
Nicolas Pepe (nga Lille tek Arsenali për 80 milionë euro)
Ndonëse tregoi shkëndijëza të shkëlqimit – përfshirë dy gola të vonshëm nga gjuajtjet e lira në fitoren e realizuar në Ligën e Evropës kundër Viktoria Guimaresit – Nicolas Pepe sigurisht nuk ka arsyetuar shifrën 80 milionë euro që është paguar për të. Arsenali ka bërë mirë që ka negociuar për të paguar këtë shifër gjatë pesë vjetëve. Por tre gola në 18 ndeshje në Premier League nuk është as për së afërmi ajo që kishin shpresuar tifozët e klubit londinez. Fakti se ka dështuar të sigurojë vend titullari, ndërsa skuadrën e drejtuan tre trajnerë këtë stinor, është një tregues tjetër.
Eden Hazard (nga Chelsea te Real Madridi për 100 milionë euro)
I kritikuar se kishte shkuar në Madrid me mbipeshë, Eden Hazard, ka pasur vështirësi të gjejë rrugën e golit dhe po lufton me lëndime. Ka qenë një stinor për t’u harruar për Hazardin deri më tash.
Kalimi te Real Madridi gjithmonë kishte qenë ëndërr për Hazardin, por stinori i parë nuk ka shkuar siç ka pritur. Belgu edicionin e kaluar te Chelsea kishte stinorin më të mirë në karrierë. Mirëpo, këtë edicion te Reali ka shënuar vetëm një gol në 13 ndeshje dhe forma e besimi i tij që ka treguar me Chelsean, ka nisur të zhduket.
Tanguy Ndombele (nga Lyoni te Tottenhami për 60 milionë euro)
Ndonëse është transferim rekord i Tottenhamit, mesfushori Tanguy Ndombele ka dështuar të përshtatet me jetën në veri të Londrës. Ish-ylli i Lyonit nuk ka arritur të stabilizohet në skuadër, ku Moussa Sissoko shpesh është preferuar para tij në zemër të mesfushës. Eric Dier, Dele Alli, Giovani Lo Celso dhe Harry Winks po ashtu janë provuar në rolin e tij që është shqetësim për tifozët, duke e marrë parasysh se sa shumë kushtoi transferimi i tij.Koha.Ditore.