Gazeta “Irish Times” ka publikuar një shkrim ku kritikohen masat e rrepta të emigracionit në aeroportin e Dublinit ndaj shqiptarëve dhe gjeorgjianëve.
Artikulli ka autore Dr Ciara Smyth, drejtoreshë programi për të drejtën ndërkombëtare në qendrën irlandeze për të drejtat e njeriut.
Në shkrim ajo thekson se masat e aplikuara ndaj shqiptarëve dhe gjeorgjianëve janë në shkelje të ligjeve kombëtare dhe ndërkombëtare.
Në shkrim përmendet gjithashtu ministri i Drejtësisë Charlie Flanagan, i cili ka pranuar sakaq se masa të tilla janë zbatuar. Në situata normale, kontrollet duhet të kryhen në zonën e pasaportave, ndërsa tanimë kryhen në shkallët e avionit.
Shqiptarët që po zbresin me dokumente false po kthehen mbrapsht në fluturime kthimi.
Lëvizja ka si qëllim që të ndalojë shkatërrimin e dokumenteve të tyre të udhëtimit para se të paraqiten në zyrën e emigracionit dhe të kërkojnë azil.
Vlen për t’u theksuar se Shqipëria dhe Gjeorgjia kryesojnë listën e vendeve azilkërkuese në Irlandë. Që nga prezantimi i masave të reja në aeroportin e Dublinit, janë rritur ndjeshëm numri i aplikimeve nga shtetasit e këtyre vendeve.
“Kjo nuk është surprizë. Parandalimi i njerëzve për të zbritur nënkupton se ata nuk kanë mundësi që të aplikojnë për azil, diçka që zakonisht ndodh në zonën e kontrollit të pasaportave ose në vend, në zyrën e mbrojtjes ndërkombëtare që është në Mount Street në Dublin”, thuhet ndër të tjera në artikull.