Shoqata sindikale e Kontrollorëve të trafikut ajror në Aeroportin e Prishtinës sot ka mbajtur grevë një orëshe nga ora 08:00 e mëngjesit deri në 09:00.
Kryetari i kësaj shoqatë sindikale, Artan Hasani, ka thënë se arsyet e kësaj greve janë se kontrollorët janë të pakënaqur me pozitën e tyre në Ligjin për Paga i cili është votuar me 2 shkurt në Kuvend.
“Kemi shpresu që do të kemi një ujdi me institucionet shtetërore lidhur më kërkesat tona, para grevës. Por këtë nuk e kemi pasur, kështu vazhduam me grevë”.
“ Greva do të zgjasë edhe në ditët në vazhdim, ajo do të fillojë në ora 08:00, të premten kjo do të zgjasë deri në 8 orë. Ditën e shtunë greva do të shkojë deri në 12 orë.
“Ndërsa të dielën do të ketë pezullim të grevës për shkak se është dita e Pavarësisë së Kosovës” Ndërsa nga data 18 shkurt greva mundet të shkojë deri në 24 orë”, tha Hasani në një intervistë për Klan Kosova.
Hasani më tej tha se presin mirëkuptimin nga deputetët e Kosovës që të kenë parasysh kërkesat e tyre.
Pavarësisht kësaj aeroporti “Adem Jashari” ka njoftuar se të gjitha shërbimet do të ofrohen sipas programit të fluturimeve, përgjatë 24 orëve në secilën ditë të javës.
“Megjithëse Shërbimet e Kontrollit Ajror të Republikës së Kosovës kanë paralajmëruar grevë në intervale të ndryshme kohore duke filluar me 13 shkurt, udhëtarët duhet të përcjellin programin e fluturimeve e të kontaktojnë me kompanitë ajrore dhe kompanitë e organizimit të udhëtimeve”.