Konushevci e Mala ishin qendra e furnizimit të UÇK-së, thuhet në akademinë përkujtimore

Tiranë | 09 Maj 2018 | 12:27 | Nga Donika Osmani

Në akademinë përkujtimore të organizuar në Tiranë, nën patronatin e kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, në përvjetorin e rënies së dëshmorëve të kombit, Ilir Konushevci dhe Hazir Mala, mori pjesë edhe zv.ministri i Mbrojtjes së Shqipërisë, Petro Koçi, raporton Ekonomia Online.

Për zv.ministrin Koçi, nderimi i përbashkët i heronjve të Kosovës dhe Shqipërisë është diçka e veçantë.

“Është diçka e veçantë që në Shqipëri po nderohen heronjtë e Kosovës, dhe në Kosovë heronjtë e Shqipërisë, kështu do qëndrojmë gjithmonë dhe këtë nuk e luan as topi”.

“Nëse ka një faktor në Ballkan Perëndimor për paqe në Ballkan dhe për integrim në Evropë, dhe ata janë shqiptarët, dhe falë rolit të shqiptarëve është që rajoni ka një perspektivë për Evropë, është meritë e Prishtinës, Tiranës, meritë e politikanëve në Mal të Zi, Maqedoni, Preshevë, që ky rol i shqiptarëve është konsoliduar nga të gjithë politikanët”.

Kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve, Xhavit Jashari, tha se Ilir Konushevci dhe Hazir Mala ishin qendra e furnizimit të UÇK-së në tërë territorin e Kosovës, raporton EO.

“Ilir Konushevci ishte njëri ndër luftëtarët e hershëm të UÇK-së të komandantit, Adem Jashari. Ishte njëri ndër luftëtarët e hershëm që qëndroi pranë komandantit të UÇK-së, Zahir Pajazitit dhe bashkëluftëtarëve të tij, Edmondit dhe Hakifit”.

“Ilir Konushevci dhe Hazir Mala ishin qendra e furnizimit të UÇK-së, jo vetëm në Dukagjin po në tërë territorin e Kosovës ku bëheshin luftimet për liri”.

Në emër të familjes Konushevci dhe Mala foli vëllai i heroit Ilir Konushevcit, Artani.

“Nuk janë 5 as 10, janë 20 vjet nga vrasja e tyre. Nuk e dimë çfarë ka ndodhur, si ka ndodhur, po dëgjojmë fjalë të ndryshme të institucioneve. Dëgjuam se ka nisë të bëhet diçka në zbardhjen e rastit të tyre”.

“Zbardhja dhe mbrojtja e së vërtetës është mision i humanitetit, drejtësisë, i vlerave universale të botës së qytetëruar. Ne dëshmorët si nderojmë vetëm me përmendore dhe akademi përkujtimore, dëshmorët përkujtohen kur arrihet qëllimi i tyre që ishte bashkimi i trojeve shqiptare”, tha ai.

Të ngjashme