Vetëm një ditë para Konventës Zgjedhore të PDK-së, e cila pritet të mbahet të shtunën e 3 korrikut, zyrtari i lartë i këtij subjekti ka dhënë dorëheqje nga partia. Qemajl Mustafa, ish-kryetar i Gjilanit nga radhët e PDK-së dhe kryetar i degës së kësaj partie në këtë komunë ka dhënë dorëheqje nga Partia Demokratike e Kosovës.
Mustafa, në një bisedë për infosot.com ka sqaruar të gjitha arsyet e tij që e cuan për t’i ndarë rrugët me këtë parti.
“Pas dy fitoreve të mira në Gjilan, unë isha i goditur dhe i margjinalizuar që nga viti 2012 edhe përderisa isha kryetar i komunës sepse nuk i pëlqeja kreut të partisë e të qeverisë. Arsyeja ishte e thjeshtë: unë e kërkoja me ngulm hisen time të investimeve për Gjilanin por nuk e mirrja. Ai premtonte shumë miliona investime për Gjilanin nëpër fushata zgjedhore por pastaj nuk i realizonte. Mandati i dytë i imi (2010 – 2013) ishte mandat “shterpë”. Kisha investime nga qeveritë e vendeve mike si USAID i SHBA, SDC i Zvicrës, DANIDA e Danimarkes, UNDP e KB, Komisioni Europian i BE, Koperimi italian… por thuaja aspak nga qeveria jonq. Pasiqë isha “i pa dëshiruar” për liderin dhe një pjese të lidershipit të saj, ata e përgatitën terenin për me i humbë zgjedhjet lokale të vitit 2013 dhe kështu filloi tatëpjeta e degës. Vitet që pasuan e dëshmuan që kreu i PDK-së kishte krijuar “jarani” të fortë me Lutfi Hazirin të cilin edhe e ringjallën dhe e shpëtuan politikisht duke ia mundësuar fitoren në Gjilan. Me preferencë dhe me imponim të qendrës erdhi dikush tjetër me e udhëheqë degën që nga 2013 ndërsa unë u tërhoqa nga aktiviteti i saj për 5 vite me radhë sepse aty nuk kishte respekt për punën e bërë dhe nuk kishte klimë normale për punë. Pas ardhjes së z. Kadri Veseli në maje të partisë dhe pas kërkesës së aktivistëve në Gjilan që të kthehesha në degë, unë u ktheva edhepse kisha së paku dy dilema goxha të mëdha: E para ishte se sipas njohurive të mia asgjë esencialisht nuk kishte ndryshuar në parti përveç që z. Veseli ishte bërë kryetar në vend të z. Thaçit. Pra, sipas meje, në parti ishin të njëjtat struktura në fuqi të cilat edhe ma kishin bërë ndërskamcen që nga 2012 e këndej. Dhe e dyta sepse mua, pas hetimeve të shumta njëkohësisht dhe të orkestruara politikisht (qe kishin filluar që nga 2011) , sistemi i (pa)drejtësisë kosovare më ngriti në vitin 2016 një aktakuzë për “krim të organizuar dhe tejkalim të autorizimit zyrtar” me hiç më pak se 38 zyrtarë e afaristë të Gjilanit. Donte dikush me këtë akt që të ma jepte grushtin e fundit që të mos kthehem kurrë në politikë dhe në jetën publike. Pavarësisht kësaj, unë u ktheva me bindjen që kryetari i ri e ka nda mendjen me e bë kthesën në parti dhe kuvendi i degës në Gjilan më votoi me mbi 70% të votave ashtu qysh edhe pritej. Mendoja poashtu që procesi gjyqësor ndaj meje dhe të tjerëve do të përfundonte për kohë të shkurtë dhe do ta dëshmonte pastërtinë tonë të sigurtë. Besoja se do ti përvishemi punës sinqerisht dhe shumë. Ky proces nuk përfundoi asnjëherë deri sot dhe unë mbeta peng sepse partia mori qëndrim që të akuzuarit të mos jenë pjesë e listave zgjedhore. Thjeshtë unë mbeta me duar të lidhura dhe nuk mund e ushtroja aspak mirë detyrën time. Polarizimet dhe fërkimet në parti poashtu e bënë punën e vet dhe une e shihja veten të padobishëm në këtë degë që nga fundi i vitit 2019. Ikja e Kadri Veselit në Hagë e thelloi krizen edhe më shumë. Dua ta theksoj në menyrë të veçantë se unë u ktheva për ta ndalur trendin rënës në degë dhe për ta rikthyer atë atje ku ajo e meritonte sepse gjatë dy mandateve të mia dhe të PDK ne qeverisje me Gjilanin ne e bëmë sinqerisht më të mirën që mundem për komunën. Sot e kësaj ditë ne përmendemi për qeverisje të mirë, hapur, të drejtë, dinamike… për qeverisje me krejtë spektrin politik të komunës e jo vetëm me PDK dhe me koalicionin e atëhershëm. Përgjatë 6 viteve të qeverisjes (2008 deri 2014) ne nuk kishim përfolje dhe asnjë ngërç të vetëm. Thjeshtë ne ishim komunë plotësisht e suksesshme e Kosovës. Dikujt edhe brenda partisë asnjëherë kjo nuk i pelqeu dhe prandaj pasoi goditja e cila edhe e rrënoi degën. Pra, une konstatova më në fund se qendrimi im në maje të asaj dege ishte i dëmshëm. Degës duhej me i çelë rrugë sepse dega e PDK nuk ishte vetëm e imja. Ajo është pronë e qindra aktivistëve dhe e mijëra votuesve të saj. Shpresoj që kjo degë ka me arritë me e marrë veten dhe me i shërby Gjilanit e Kosovës për çka edhe ekziston” tha Mustafa.
Ish-zyrtari i PDK, ka komentuar edhe zgjedhjet e nesërme për kryetarin e kësaj partie. Qemjali thotë se nuk pret diçka të veçantë. Sipas tij, kjo konventë është thirrur pa u diskutuar me degët e PDK-së.
“Sa u përket pritshmërive të mia nga konventa, nuk është se pres diçka të veçantë. Aktivistët e PDK-së as që e kanë të qartë pse po mbahet kjo konventë në këtë moment kur zgjedhjet lokale janë fare afër (më 17 tetor). Kjo konventë është thirrur pa diskutime të mirëfillta me degët. Aktivistët e PDK nuk e dijnë cili ishte “kabahati” i prof. E. Hoxhaj për ta bërë këtë ndrrim kaq me nguti para zgjedhjeve lokale sepse siç e kuptuam ai nuk do të jetë kandidat për kryetar. Në vend se qendra të merej me forcimin e degëve dhe me listat zgjedhore nëpër degë, ajo po meret me ndrrim kryetarësh. Nuk kam asgjë kundër kandidaturës se Memli Krasniqit i cili është i motivuar dhe ka energji për punë por e di poashtu që PDK-së i duhet në krye një figurë e fortë politike e cila me autoritetin publik, me dijen, me urtinë dhe me dinamiken e saj e gëzon admirimin e popullit të Kosovës. Nuk mjaftojnë asnjëherë për fitore vetëm votat e militantëve të partisë”.
Mustafa tutje thotë se edhepse tani nuk është më pjesë e PDK-së, ai është mjaftueshëm i angazhuar me obligime familjare por gjithashtu edhe do ta ndihmoj komunën e Gjilanit kurdo që do të paraqitet nevoja.
“Unë kam plot angazhime dhe nevoja familjare qysh i kemi në të gjithë për familjet tona dhe përherë kam me çka të merrem. Pavarësisht që nuk do të jem aktiv në PDK për shkak të arsyeve që i thashë, unë e përcjelli aktivisht politikën dhe do t’i ndihmoj komunës së Gjilanit dhe shtetit të Kosovës kudo ku krijohet hapësirë e mirëfilltë për punë dhe ku ka disponim të sinqertë për bashkëpunim. Për fat të keq brenda PDK-së kjo mungoi skajshmërisht deri sot. Aty u instaluan individë dhe ekipe që projektonin dhe “çpiknin” përherë pengesa e barriera. Gjithnjë nën kredon e mbivlerës që ata e bartnin nga e kaluara historike e vendit dhe e partisë” përfundon Mustafa.