Konventa e Studentëve të Prishtinës, e cila ka zhvilluar punimet sot, ka miratuar një rezolutë lidhur me kërkesat dhe nevojat e të rinjve drejtuar presidentit Hashim Thaçi, kryeparlamentarit Kadri Veseli e kryeministrit Ramush Haradinaj, raporton Ekonomia Online.
Adis Shefkiu, përfaqësues i Këshillit të Studentëve të Fakultetit Filozofik, radhiti kërkesat kryesore që ata si studentë kanë për drejtuesit e institucioneve, si rritja e bursave për studentë, pajisja e bibliotekave të fakulteteve me tituj të rinj e disa kërkesa të tjera.
“Të bëhet rritja e bursave për studentë, të krijohet një zyre ku centralizohen përgjegjësitë. Kërkojmë që të bëhet ndarja e një fondi i cili më menaxhim komplet t’i takojë zyrës përgjegjëse, kërkojmë me pajisjen e bibliotekave të fakulteteve me tituj të ri nga fusha të ndryshme shkencore”, tha Shefkiu.
Kushtrim Smakiqi, kryetar i Këshillit të Studentëve të Fakultetit Juridik, tha se një nga preokupimet kryesore të studentëve është zvogëlimi i shumës së bursës, para disa muajsh. Ai kërkoi që vlera e kësaj burse të rritet në 1 000 euro.
“Bursat më herët kanë qenë në vlerë prej 1200 eurosh dhe pastaj janë zvogëluar. Bursat duhet të ishin në vlerë jo më pak se 1000 euro dhe me këtë rast kjo do t’u jepte motiv edhe studentëve ekselencë”.
Ai gjithashtu kërkoi nxjerrjen e një vendimi për shtimin e praktikave për studentët në institucione.
Ndërsa, Dashamir Berxulli, prorektor i UP-së, tha se studentët duhet të kontribuojnë fuqishëm në këtë proces dhe kërkoi nga ta të shtrojnë ndikimin e tyre për projekte tjera për studentë.
“Kjo është një energji që kërkon kanalizim dhe të shprehet në mënyrë kreative. UP la obligimin që të reflektojë në përditshmëri me studentët. Puna jonë nuk matet me tituj dhe nuk bëhet me tituj por shoqëria ma shpërblen me këta tituj. Ju duhet të kontribuoni fuqishëm në këtë proces dhe mund të shtroni ndikimin tuaj që të ketë më shumë projekte për studentët”.
Koordinatori Nacional për Gjeneratën e Re, Avdullah Hasani, i siguroi studentët se të gjitha kërkesat e tyre do të adresohen me seriozitet të lartë dhe se do të kenë përkrahjen e tyre në çdo segment.
“Unë ju jap përkrahjen se qeveria sikurse asnjëherë më parë ka arritur kapacitetet financiare që studentëve në Kosovë t’iu japë një shans më të mirë. Sot përveç liberalizimit të vizave nga moshatarë evropianë nuk na ndan as edukimi e as arsimimi. Të rinjtë tonë dhe ata evropian dallojnë vetëm për vendin ku jetojnë”.
“Zotohem se Qeveria e Kosovës kërkesat do t’i trajtojë dhe së bashku me ju do të jemi dëshmitarë që ato do t’i realizojmë bashkë me ju. Gjenerata e re është e ardhmja e Kosovës dhe këtë askush nuk mund ta ndalë”.
Hasani sugjeroi që studentët të mos bëjnë kërkesa politike, por kërkesa për përmirësimin e cilësisë në arsim dhe të ardhmen e tyre.