Koordinatori për Nacional Kulturë, Rini dhe Sport në Qeverinë e Republikës së Kosovës, Rexhep Hoti bashkë me Kryetarin e Komunës së Gjakovës Ardian Gjini, kanë vizituar shkollën “Zekeria Rexha”. Aty përcollën nga afër zhvillimin e Garës Nacionale të Diturisë në nivelin komunal ku garuan afro 1500 nxënës nga të gjitha shkollat e komunës së Gjakovës në 52 hapësirat e kësaj shkolle.
Me këtë rast, Hoti uroi nxënësit për arritjen e tyre deri në nivelin komunal si dhe kërkoi nga ta që të jenë më këmbëngulës në kërkim të dijes. “Jam shumë i lumtur që sot po shoh pjesëmarrje shumë të madhe të nxënësve që kanë ardhur nga të gjitha shkollat për të hyrë në garë me moshatarët e tyre. Në garën e Kreativitetit Kulturor dhe Mendimit Kritik të nivelit republikan, Gjakova ka fituar katërfishin e çmimeve në krahasim me komunat e tjera. Në çdo kategori të kësaj gare ka së paku një fitues të tre vendeve të para, e unë besoj se edhe në garën e diturisë nxënësit e Gjakovës do ta dëshmojnë veten”, tha Hoti.
E Gjini tha se garat që po mbahen në kuadër të Programit Nacional për Rininë po mundësojnë zbulimin e talentëve në gjithë Kosovën, gjë që nuk ka ndodhur më parë.
“Me këtë garë po vendoset një sistem që i mundëson shkollave t’i zbulojnë talentët. Çdo fillim mund të jetë i vështirë, por dështojnë të gjithë ata që nuk e provojnë fare. E përshëndes këtë iniciativë dhe u uroj shumë suksese të gjithë nxënësve”, tha Gjini.
Fituesit e Garës Nacionale të Diturisë në nivelin shkollor Kosovës sot po vazhdojnë garën në nivelin komunal. Mbi 24,000 nxënës në të gjitha e Kosovës sot iu kanë nënshtruar testimit në 15 lëndë. Fituesit e gjeneratës për secilën lëndë do të garojnë në nivelin republikan.