Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport në Qeverinë e Republikës së Kosovës Rexhep Hoti, është takuar sot me Kryetarin e Komunës së Klinës, Zenun Elezaj.
Hoti në takim me kryetarin Elezaj biseduan për Garën Nacionale në Sport e cila do të fillojë nga muaji shtator. Në këtë garë do të marrin pjesë të gjithë nxënësit e Republikës së Kosovës në katër sporte; futsall, volejboll, atletikë dhe shah. Gara do të organizohet në tri nivele duke filluar nga ai shkollor, komunal dhe republikan.
“Duke u bazuar në garat e mbajtura sipas Programit Nacional për Rininë, ku numri i nxënësve fitues ishte 44,723 në gjithë Kosovën, komuna e Klinës ka pasur 1609 nxënës fitues. Për të gjithë këta nxënës do të ketë shpërblime që praktikisht do të jetë motiv shtesë në procesin e mësimnxënies. Ne tani do të fillojmë edhe me Garën Nacionale në Sport, ku mbi parimin e gjithëpërfshirjes do t’i mundësohet secilit nxënës që të shfaqin shkathtësitë e tyre në katër sportet që janë paraparë të mbahen për këtë vit,” tha Koordinatori Hoti.
Ndërsa, Kryetari Elezaj e falënderoi Koordinatorin Hoti për punën që po bën për nxënësit duke thënë se përkrahja do të vazhdoj edhe më tutje. “Jam i kënaqur me punën që po bëhet për rininë andaj unë do të vazhdoj ta mbështes punën tuaj për të mirën e nxënësve tanë”, tha Elezaj.
Në garat e organizuara në Kreativitet Kulturor dhe Mendim Kritik nga KNKRS, në komunën e Klinës në nivelin shkollor kanë qenë 473 nxënës fitues, niveli komunal 98 nxënës fitues, niveli republikan 5 nxënës fitues. Ndërkaq në Garat Nacionale të Diturisë në nivelin shkollor 973 nxënës fitues, në nivelin komunal 53 nxënës fitues, niveli republikan 7 nxënës fitues.
Pos Garës Nacionale në Sport, të gjithë nxënësit e Republikës së Kosovës do të kenë mundësi të marrin pjesë edhe në Garën Nacionale të Kreativitetit Kulturor dhe Mendimit Kritik që pritet të filloj gjatë muajit shtator.