Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport në Qeverinë e Republikës së Kosovës, Rexhep Hoti, u ka dhuruar 342 sete librash në vlerë prej 50 eurosh nxënësve në Komunën e Pejës. Të gjithë këta nxënës ishin fitues të garës Nacionale në Kreativitet Kulturor dhe Mendim Kritik dhe garës Nacionale të Diturisë.
Me rastin e ndarjes së shpërblimeve, koordinatori Hoti theksoi rëndësinë e garës dhe të arsimit, duke thënë se komuna e Pejës ka qenë shembull i mirë i organzimit, e nxënësit kanë qenë pasqyrë e saj.
“Për herë të parë në Kosovë ne kemi shpallur 44,723 fitues prej një procesi garues nëpër të gjitha shkollat e Kosovës. Është angazhuar një armatë njerëzish që sot të kemi gjithë këta nxënës fitues që marrin shpërblime. Sot jam jashtëzakonisht i lumtur që ju dhuroj librat si shpërblim të mundit tuaj. Mos harroni se arsimi dhe edukimi është ajo që ju lartëson dhe është shkallë për të ngjitur majat e suksesit, andaj vazhdoni të ngjiteni sa më lartë”, tha Koordinatori Hoti.
Nxënësit fitues u ndanë të kënaqur me dhuratën ndërsa treguan edhe për përgatitjet që kanë bërë për garat. Komuna e Pejës ka pasur 2404 nxënës fitues në të gjitha nivelet e garës nacionale në Kreativitet Kulturor e Mendim Kritik si dhe në Dituri. 38 në nivelin republikan, 215 në nivelin komunal dhe 2151 fitues në nivelin shkollor të garës.
Ceremonia e shpërndarjes së librave u zhvillua në Qendrën Rinore në Pejë ku përveç zyrtarëve institucionalë, mësimdhënësve e nxënësve, të pranishëm ishin edhe prindërit. Ditëve në vijim do të vazhdohet me shpërndarjen e librave nëpër komunat tjera.