Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport në Qeverinë e Republikës së Kosovës, Rexhep Hoti, u ka dhuruar 481 sete librash në vlerë prej 50 eurosh nxënësve në Komunën e Lipjanit dhe Ferizajt. Të gjithë këta nxënës ishin fitues të garës Nacionale në Kreativitet Kulturor dhe Mendim Kritik dhe garës Nacionale të Diturisë.
Me rastin e ndarjes së shpërblimeve, Koordinatori Hoti tha se është nder dhe privilegj të dhurojë libra dhe se përmes leximit këta nxënës do të jenë të barabartë me nxënësit e mbarë botës.
“Në këtë garë, nga e cila sot ju nxënës i merrni çmimet e merituara, kanë marrë pjesë në nivel Republike mijëra gra e burra pa asnjë cent. Ka qenë një prej punëve ku është dëshmuar të paktën një gjë: që në Kosovë ekziston një energji e jashtëzakonshme që arsimi të vihet në rrugën e vet siç duhet. Ju e dini se ndër vite arsimi është përdorur për ta mbajtur gjallë qenien tonë kombëtare, shtetërore, njerëzore e etike, për këtë arsye ne kemi probleme me arsimin sepse ai nuk ka mundur të merret me vetveten. Prandaj, arsimi është sistemi kryesor i çdo gjëje. Pa arsimin sot nuk ka vlerë as liria as trashëgimia, as lufta, as e drejta, pa arsimin sot nuk kuptimësohet asgjë. Ka ardhur koha që ne të gjithë së bashku ta vëmë arsimin aty ku e ka vendin dhe ju mund të kontribuoni për këtë. Ju, të dashur nxënës, përmes leximit do të keni mundësinë ta formoni personalitetin tuaj në nivele të tilla që rriteni me dije e cila do t’ju fisnikërojë jo vetëm mendjen e shpirtin, por do t’ju bëjë të aftë që ju të merrni vendime për veten dhe vendin dhe të realizoni ëndrrat e juaja”, tha Hoti.
Drejtoresha komunale e arsimit në Lipjan, Elmaze Behluli, e falënderoi Koordinatorin Hoti për shpërblimet si dhe ju uroi nxënësve suksese edhe në të ardhmen. Ceremonia e shpërndarjes së librave u zhvillua edhe në Ferizaj, ku të pranishëm ishin drejtorë të shkollave, mësimdhënës e nxënës.
Komuna e Lipjanit në të gjitha nivelet e garës Nacionale në Kreativitet Kulturor dhe Mendim Kritik dhe asaj të Diturisë ka gjithsej 974 fitues. Ndërsa, komuna e Ferizajt në të gjitha nivelet e të dyja garave ka gjithsej 2796 fitues.