Në ditët kur të gjithë zgjedhin të pushojnë mes detit, rërës dhe argëtimeve të tjera, turistët e huaj nuk i mungojnë Shqipërisë.
Udhëtimet e tyre vijnë si një paketë eksplorimi të qyteteve shqiptare, elementet kulturore e historike, ndërsa mënyrat sesi ata organizohen janë individuale.
Një ditë në çdo qytet është mëse e mjaftueshme për turistët që të shohin atraksionet e vendit tonë. Korça mbetet një prej destinacioneve më të vizituara të Shqipërisë. Kryesisht turistët nga vende të ndryshme të Europës zgjedhin që të ndalen në qytetin juglindor për një natë dhe të vizitojnë “Pazarin e vjetër” apo edhe muzetë.
“Vijmë nga Franca dhe jemi shumë të befasuar, pasi është një vend shumë i këndshëm. Vizituam liqenin e Ohrit dhe pas Korçës do të vazhdojmë udhëtimin në jug të Shqipërisë. Kishim një libër guide, ku tregoheshin disa nga atraksionet e Shqipërisë, dhe vendosëm t’i vizitojmë. Unë jam së bashku me familjen dhe kemi një makinë kampingu ku flemë, ndërkohë që na pëlqen të shijojmë ushqimin shqiptar”, thotë një turiste franceze.
“Është hera e parë që vij këtu, u befasova. Më bëri shumë përshtypje dhe do të vij përsëri. Do përpiqem të shikoj vende të tjera, pasi është hera e parë që jam këtu. Sot do të jemi këtu, por herën tjetër do të shkojmë të shohim Tiranën, ose edhe qytete të tjera”, thotë një tjetër turiste.
“Ne jemi nga Austria dhe po bëjmë një udhëtim 10-ditor në Shqipëri. Bëmë një ndalesë të shkurtër në liqenin e Ohrit në Pogradec. Është dita jonë e katërt në Shqipëri dhe unë kisha lexuar për Korçën, ndaj i kërkova guidës sonë që të na sillte këtu. Më pas do të shkojmë në Gjirokastër, e më tej edhe në 2-3 qytete të tjera. Preferojmë që të akomodohemi në hotele të vegjël, sepse neve na pëlqen të mësojmë më shumë për kulturën, historinë e Shqipërisë dhe është më mirë në hotele të vegjël sesa të mëdhenj”, thotë turisti austriak.
Korça po renditet përherë e më shumë në qytetet elitare të turizmit shqiptar, duke regjistruar shifra të larta turistësh jo vetëm në verë, por në të gjitha stinët.