Media shtetërore e Koresë së Veriut e cilësoi vizitën spontane të presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, në këtë vend si një “ngjarje të mahnitshme”.
Agjencia KCNA tha se lideri verikorean, Kim Jong Un, dhe Trump janë pajtuar që t’i rifillojnë bisedimet për çarmatosjen bërthamore të Gadishullit Korean.
Trump dhe Kim u takuan të dielën në zonën e demilitarizuar që ndan dy Koretë.
Ata i shtrënguan duart pranë vijës së demarkacionit, përpara se Trump të kalonte shkurtimisht në territorin e Koresë së Veriut – duke u bërë presidenti i parë amerikan që shkeli në këtë vend.
Pas një tjetër shtrëngimi duarsh, Trump dhe Kim dolën në territorin e Koresë së Jugut, ku iu bashkua edhe presidenti jugkorean, Moon Jae-in.
“Është një ditë e mrekullueshme për botën dhe është nder për mua që jam këtu. Shumë gjëra të mëdha po ndodhin”, tha Trump.
Kim tha se kalimi i Trumpit në Korenë e Veriut ishte “një akt shumë i guximshëm dhe i vendosur”, që do të thotë se dy vendet “duan t’i japin fund të kaluarës së pakëndshme”.
Pasi kaluan rreth 50 minuta në bisedime prapa dyerve të mbyllura, Trump tha se dy palët kanë caktuar ekipe për të rifilluar negociatat e bllokuara bërthamore brenda disa javësh.
Trump dhe Kim janë takuar dy herë në kuadër të përpjekjeve të SHBA-së për të bindur Phenjanin që të heqë dorë nga armët bërthamore, por përparim në këtë drejtim është bërë pak.