Zyrtarë të Koresë Veriore kanë kundërshtuar tregimin e Presidentit amerikan Donald Trump, rreth asaj se pse samiti midis tij dhe Kim Jong Un përfundoi pa marrëveshje.
Ministri i Jashtëm i Koresë së Veriut, Ri Yong Ho, ka thënë se ata kërkuan vetëm një lehtësim të pjesshëm të sanksioneve në shkëmbim të mbylljes së kompleksit kryesorë bërthamor, shkruan Euronews, transmeton Klan Kosova.
Këto komente erdhën pasi që Presidenti Trump ka thënë para gazetarëve se Koreja e Veriut ka kërkuar heqjen e tërësishme të sanksioneve.
Ministri Yong Ho ka theksuar se ata ishin të gatshëm që të ofrojnë një garanci me shkrim për një ndalesë të përhershme të testeve bërthamore.
Sipas tij, një mundësi e tillë për Shtetet e Bashkuara “mund të mos vijë sërish” dhe qëndrimet e Koresë Veriore nuk pritet të ndryshojnë edhe nëse organizohet një samit i tretë.