Koreja e Veriut akuzoi të shtunën administratën e Biden për ngritjen e tensioneve ushtarake me Kinën përmes mbështetjes së saj “të pamatur” të Tajvanit dhe tha se prania në rritje ushtarake e ShBA-së në rajon përbën një kërcënim të mundshëm për Veriun.
Në komentet e bëra nga media shtetërore, zëvendësministri i Jashtëm i Koresë së Veriut, Pak Myong Ho, kritikoi Shtetet e Bashkuara për dërgimin e anijeve luftarake përmes ngushticës së Tajvanit dhe ofrimin e sistemeve të përmirësuara të armëve dhe trajnime ushtarake.
“Ndërhyrja indiskrete” e Shteteve të Bashkuara në çështjet në lidhje me Tajvanin, të cilin Veriu e sheh tërësisht si një çështje të brendshme kineze, kërcënon të ndikojë në një “situatë delikate në Gadishullin Korean”, shkruan BBC.
Deklarata e Pak erdhi një ditë pasi Presidenti amerikan, Joe Biden, tha për CNN se Shtetet e Bashkuara ishin të përkushtuara për të dalë në mbrojtje të Tajvanit nëse sulmohet nga Kina.
Derisa kjo dukej se mjegullonte qëndrimin e mbajtur prej kohësh të Uashingtonit për ruajtjen e “paqartësisë strategjike”, nëse Kina do të sulmonte Tajvanin, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki, tha se Biden nuk kishte qëllim të përcillte një ndryshim në politikë.