Një zyrtar në Seul i ka thënë agjencisë së lajmeve “Reuters” se Koreja Jugore ka planifikuar t’ua dërgojë Shteteve të Bashkuara 600 mijë teste për koronavirus pas kërkesës së presidentit amerikan, Donald Trump. Dërgimi i tyre do të bëhet të martën.
Kreu i Shtëpisë së Bardhë e kishte shtruar këtë kërkesë para presidentit të Koresë Jugore, Moon Jae-in, gjatë një bisede telefonike që dy udhëheqësit e kishin zhvilluar më 25 mars.
Transportimi i këtyre testeve do të bëhet nga një aeroplan i Agjencisë Federale për Menaxhimin e Emergjencave. Lajmin e konfirmoi një zyrtar që kërkoi të mbetej anonim për shkak të ndjeshmërisë diplomatike të kësaj çështjeje.
Pjesa e parë e testeve do të pranohet nga qeveria amerikane, e cila edhe do ta bëjë pagesën për to nga buxheti i shtetit, shkruan “Reuters”, transmeton Gazeta Express.
Një pjesë tjetër prej 150 mijë testeve do të dërgohet më vonë dhe do të shitet te një kompani private, tha ky zyrtar.
Ministria e Jashtme e Koresë Jugore tha se nuk ka ndonjë informacion për medie tash për tash në lidhje me këtë çështje.