Autoritetet e Koresë Jugore thanë të mërkurën se janë duke e hetuar vdekjen e dy personave, të cilët kishin edhe problema tjera shëndetësore, por që vdiqën disa ditë pasi e morën vaksinën e kompanisë AstraZeneca kundër Covid-19.
Një pacient 63 vjeç, banor i një shtëpie të kujdesit që vuante nga sëmundja cerebrovaskulare, pati simptoma si temperatura e lartë pasi e mori vaksinën para katër ditëve, tha drejtoresha e Agjencisë Koreane për Kontrollimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, Jeong Eun-kyeong.
Burri u dërgua në një spital tjetër të martën, por vdiq pasi shfaqi simptoma të helmimit të gjakut dhe pneumonisë, raportuan mediet lokale.
Një pacient tjetër në të pesëdhjetat, i cili vuante nga çrregullimet në zemër dhe diabeti, vdiq të mërkurën pasi pësoi disa sulme në zemër. Ai e mori vaksinën një ditë para se të vdiste, shkruan Reuters.
Autoritetet thanë se janë duke e hetuar shkaktarin e vdekjeve, por nuk konfirmuan ndonjë lidhje me vaksinën. Agjencia për Kontrollimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve ka njoftuar se do të japë dëmshpërblim prej mbi 383.000 dollarëve për vdekjet e shkaktuara nga vaksina për Covid-19.
Një zëdhënëse e kompanisë AstraZeneca tha se nuk ka ndonjë koment për këto raste.
Agjencia tha se nga personat që e kanë marrë vaksinën, 207 kanë pasur efekte negative, përfshirë tri raste të reaksionit të ashpër alergjik, të njohur si anafilaksi.