Koreja Veriore ka hedhur rreth 90 balona me fletushka propaganda dhe mbeturina në dy provinca kufitare të Koresë Jugore, duke i nxitur autoritetet e kësaj të fundit që t’u bëjnë thirrje banorëve për të qëndruar brenda shtëpive.
Ushtria e Koresë Jugore gjithashtu e paralajmëroi publikun të mërkurën kundër prekjes së balonave dhe qeseve plastike ngjitur për tyre, sepse ata përmbajnë “mbeturina të ndyra dhe bërllok”.
Balonat e gjetur në provincat Gyeonggi dhe Gangwon tashmë po analizohen nga autoritetet përkatëse, raporton televizioni BBC.
Të dyja shtetet kanë përdorur balona gjatë fushatave të tyre propaganduese që nga Lufta e Koresë në vitet e pesëdhjeta të shekullit të kaluar.
Incidenti erdhi pasi Koreja Veriore tha se do të hakmerrej kundër “shpërndarjes së fletushkave dhe bërllokut tjetër” në zonat kufitare nga aktivistët në Kore të Jugut.
Të martën vonë, banorët që jetojnë në veri të kryeqytetit të Koresë Jugore, Seul, dhe në rajonin kufitar morën mesazhe nga autoritetet rajonale, me të cilët iu kërkua që të “përmbahen nga aktivitetet në mjedis të hapur”.
Atyre gjithashtu iu kërkuar që të paraqisnin një raport në bazën më të afërt ushtarake ose në stacion policie, nëse vërejnë një “objekt të paidentifikuar”.