Koreja Veriore e ka shpallur gjendjen emergjente pasi një person i dyshuar për koronavirus ka hyrë në territorin e vendit komunist.
Lideri i këtij shteti, Kim Jong Un e thirri një takim emergjent të byrosë politike pasi një person i dyshuar për koronavirus ka hyrë në territorin e vendit nga Koreja Jugore, shkruan “Daily Mail”.
Nëse konfirmohet, ky do të ishte zyrtarisht rasti i parë i një personi të infektuar, i njohur nga autoritetet e Koresë Veriore, të cilat kanë thënë se deri më tani nuk është regjistruar asnjë rast.
Kim shpalli gjendje emergjente dhe vendosi karantinë në qytetin kufitar, Kaesong, duke thënë se kjo është një situatë kritike, në të cilën virusi i dhunshëm mund të thuhet se ka hyrë në vend.
Sipas agjencisë zyrtare të lajmeve, KCNA, një person që kishte dezertuar në Korenë Jugore tri vjet më parë është kthyer në vend përmes kufirit të fortifikuar duke pasur simptoma që lidhen me sëmundjen Covid-19.
Kjo agjenci nuk tregoi nëse personi i dyshuar është testuar, por shtoi se rezultati është arritur nga disa kontrolle mjekësore nga lëngjet trupore të traktit të sipërm respirator dhe përmes gjakut. Zyrtarët e kanë futur këtë person në izolim dhe po i hetojnë kontaktet që mund t’i ketë pasur.