Koreja Veriore teston dy raketa balistike

Prishtinë | 31 Kor 2019 | 09:37 | Nga Ekonomia Online

Sipas informatave të ushtrisë së Koresë Jugore, Koreja Veriore i ka hedhur në ajër dy raketa balistike me rreze të shkurtër veprimi në ujërat e bregdetit lindor. Raketat u lëshuan nga zona e Wonsan-it në orët e para të mëngjesit të së mërkurës.

Ky testim ishte veprimi i parë i këtillë që nga takimi i presidentit amerikan, Donald Trump, me liderin e Koresë Veriore, Kim Jong-un, në kufirin mes dy Koreve në qershor të këtij viti.

Autoritetet e Koresë Veriore thanë se lëshimi i këtyre raketave ishte një paralajmërim solemn për Seulin lidhur me ushtrimet e planifikuara ushtarake me forcat amerikane.

Shteti komunist më parë ka reaguar ashpër ndaj ushtrimeve të përvitshme mes Shteteve të Bashkuara dhe Koresë Jugore, duke thënë se ato janë përgatitje për luftë.

Raketat u lëshuan në orën 5 të mëngjesit sipas kohës lokale. Ato fluturuan 250 kilometra dhe arritën një lartësi prej 30 kilometrash para se të binin në Detin e Japonisë, i njohur ndryshe edhe si Deti Lindor.

Ministri i mbrojtjes i Koresë Jugore, Jeong Kyeong-doo, tha se këto raketa ishin të një modeli tjetër në krahasim me raketat e lëshuara në të kaluarën. Ndërkohë kryeministri japonez, Shino Abe, tha se raketat nuk e kanë rrezikuar sigurinë e vendit të tij, shkruan “BBC”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme