Deputeti i Vetëvendosjes, Visar Korenica, në një intervistë për Ekonomia Online ka siguruar se nuk do të largohet nga kjo parti, duke mohuar disa raportime në medie se është pjesë e një grupi deputetësh që mund ta braktisin partinë në pushtet.
Korenica tha se po shihet një tendencë për ta përçarë Grupin Parlamentar me lajme siç thotë ai toksike, duke i akuzuar mediet për shpërndarjen e lajmeve të pavërteta, raporton EO.
Ndonëse nuk dëshiron të komentojë më shumë, ai thotë në Lëvizjen Vetëvendosje ndoshta mund të ketë largime të tjera.
“Unë kam reaguar kundër shkrimit se kinse jam larguar edhe unë nga VV-ja dhe nuk qëndron ajo çka është shkruar. Lëvizja Vetëvendosje ka përfunduar një proces zgjedhor me 25 shtator dhe nuk ka të bëjë fare tema me aktualitetin politik në vend. Unë jam deputet i Lëvizjes dhe brenda Kryesisë. Për bindjen time nuk flitet për largim. Po ajo çka po shohim është tendencë për ta përçarë Grupin Parlamentar e nuk ia arrin me këto gënjeshtra me këto shkrime të pavërteta”.
“Mua më vjen keq që opinioni ynë po përballet me lajme të tilla toksike dhe më vjen keq që gazetaria nuk ka kod të mirëfilltë etik flas për disa madje sepse po shijet që pa u vërtetuar lajmi po qarkullon dhe njerëzit e marrin si të mirëqenë. Po shihet që eksponentë që i kanë në pronësi portale të ndryshme po mundohet me krijuar kësi lloj hamendësie me gjëra të pavërteta”.
“Ndoshta mund të ketë largime tjera. Unë flas për veten time. Kam hyrë në garë me listën e VV-së dhe po e qojmë përpara premtimet elektorale gjatë fushatës”, tha Korenica.
Ndërsa për largimin e Doarsa Kica-Xhelili, deputeti Korenica shtoi se kjo është tradhti politike.
“Ajo ka vendos me shku, udha e mbarë i qoftë! Ajo ka garuar përmes një listë që iu ka mundësuar asaj mu ba deputete. Kjo është tradhti politike në rend të parë”.