Burrat e veshur në të zeza e gratë me mantele të kuqe, krijojnë ndjesinë e një kori kishtar. Por kjo ka të bëjë më shumë me traditën. “Slavulj” është kori më i vjetër që ka ekzistuar për 154 vjet në Kroaci. Ky kor, të dielën, erdhi në Prishtinë dhe dha koncertin e parë në kryeqytet, pas atij të një nate më parë në Pejë.
Veprat që kanë pasur në program ishin sakrale, muzikë folklorike kroate që bazohej në mënyrën e tyre të këndimit e po ashtu edhe vepra të njohura të vendit prej nga vijnë. Ansambli nuk është profesionist, njëjtë sikurse edhe kori i dytë që performoi të dielën, ai i burrave, por janë të veçantë secili në mënyrën e vet.
Në këtë koncert, i cili ndryshe erdhi si mbrëmje “Post DAM”, krahas “Slavulj” u prezantua edhe Kori Akademik i Burrave të Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike nga Kroacia. Dirigjenti Josip degl’Ivellio drejtoi të dy koret.
Mbrëmja nisi me korin e përzier, i cili solli vepra të kompozitorëve si Domenico Bartolucci, Nikolai Rimski Korsakov, Emil Cossetto e Miho Demoviq e të tjerë. Dirigjenti me shumë energji drejtoi veprat e ndryshme në program.
Në këtë formë u krijua një atmosferë e ngrohtë në amfiteatrin e Bibliotekës Universitare, kur u përmbyll pjesa e parë e mbrëmjes, për t’i lënë radhën korit të burrave, i cili u themelua para dy vjetësh me iniciativën e degl’Ivellio dhe dekanit të fakultetit, Mislav Gragiq.
Me këtë koncert që shërbeu si epilog i edicionit të 13-të të festivalit ndërkombëtar të muzikës “DAM” u përmbyll edhe një edicion i suksesshëm.
Pas kësaj “DAM” do të sjellë edhe një natë muzikore. Me datën 26 të muajit prill kori “Siparantum” me dirigjent Memli Kelmendin, do të performojë në mbrëmjen që titullohet “Përtej”.