Korrenspondenti i FAZ-it, Martens thotë se titulli për Albin Kurtin nuk është i vërtetë

Prishtinë | 25 Jan 2021 | 15:38 | Nga Ekonomia Online

Korrespodenti i gazetës së famshme gjermane, Frankfurter Allgemeine Zeitung, Michael Martens, ka reaguar pas një shkrimi që është shpërndarë në Kosovë i paraqitur si artikull i kësaj gazete i botuar në vitin 1998 e që titullohej “Kurti: Kush e mbështet SHBA-në dhe Rugovën, është kundër Kosovës”.

Ai përmes një postimi në Twitter ka thënë se ky artikull nuk është botuar kurrë në gazetën gjermane, dhe si i tillë po bëhet vetëm për fushatë.

“Në valën e zgjedhjeve në Kosovë, është duke u zhvilluar një fushatë e lajmeve të rreme në media të ndryshme sociale që përfshijnë Albin Kurtin dhe Frankfurter Allgemeine Zeitung. Ju lutemi vini re: Ky artikull nuk është shfaqur asnjëherë në FAZ. Citimi është i rremë”, thuhet në reagimin e tij në Twitter.

Të njëjtin lajm e ka shpërndarë në Facebook ish-deputeti i LDK-së, Gani Geci.

Lidhur me lajmin ka reaguar edhe zyrtari për media nga Lëvizja Vetëvendosje, Arlind Manxhuka, për të cilin ka thënë se është lajm i rremë.

“Ky artikull asnjëherë nuk ka qenë në FAZ dhe ky citim është FAKE. Është e pabesueshme dhe shqetësuese se si disa portale citojnë njerëz që shtyjnë lajme fake dhe bëjnë lajm pa asnjë verifikim”, ka shkruar ai.

Ndërkaq kandidatja për deputete në listën e Vetëvendosjes, Donika Gërvalla, ka shkruar në Facebook se manipulimi me gazetën gjermane tregon sesa e madhe është frika e disave për zgjedhjet e 14 shkurtit.

“Manipulimi me gazetën shumë serioze gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung vetëm sa na tregon edhe një herë se deri ku ka rënë niveli dhe sa e madhe është frika e disave nga këto zgjedhje. Konkurrenca është në rregull, por gënjeshtra e kulluar jo. Gazetari i kësaj gazete, Michael Martens ka reaguar menjëherë pas shpërndarjes së artikullit të rremë duke siguruar që një artikull i tillë nuk është botuar asnjë herë në këtë gazetë. Përkrahësit e lirisë dhe pavarësisë sonë në kohë të vështira, dhe e tillë është kjo gazetë, do të duhej t’i kursenim nga lojërat tona shumë të ulëta”, ka shkruar ajo.

Image
Fjalë Kryesore:

Të ngjashme