Kos flet për rolin e saj të mundshëm në dialogun Kosovë-Serbi: Do punoj bashkë me Kalasin, e njoh mentalitetin e këtij rajoni

Prishtinë | 07 Nën 2024 | 12:58 | Nga Ekonomia Online

Kandidatja për komisionare të Zgjerimit të BE-së, sllovenia Marta Kos, ka thënë se Mali i Zi dhe Shqipëria kanë mundësi t’i përmbyllin bisedimet për anëtarësim në bllok deri në vitin 2026 dhe 2027, përkatësisht.

Kos është pyetur gjithashtu edhe për rolin e saj të mundshëm në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Ajo shprehu gatishmëri për të punuar me Kaja Kallasin, e cila pritet të konfirmohet në postin e përfaqësues për politikë të jashtme të BE-së, dhe ta marrë përsipër ndërmjetësimin e dialogut mes dy vendeve fqinje.

“Dialogu formalisht është në duart e Kaja Kallasit. Unë do të punoj sigurisht me të. Pasi e njoh këtë rajon dhe mentalitetin, dua të bashkëpunoj në këtë fushë. Të lëvizim përpara. Është bërë shumë formalisht deri me tani”, tha ajo.

Ajo tha se pret nga Kosova dhe Serbia ta zbatojnë marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve, për të cilën u pajtuan në fillim të vitit 2023 në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja.

Por, Kos paralajmëroi se “nëse gjërat nuk shkojnë, duhet të gjejmë një rrugë të re”, duke e cituar Albert Ajnshtajnin se “është çmenduri të vazhdosh ta bësh të njëjtën gjë çdo ditë dhe të presësh rezultat tjetër“. /REL

Të ngjashme