Sot, në Drejtorinë Rajonale të Policisë në Mitrovicë Veri, qëndruan për n vizitë zyrtare ambasadori amerikan Philip S. Kosnett dhe drejtori i Departamentit për Hetime Riza Shillova, të cilët ishin të shoqëruar edhe nga zyrtarë të ICITAP-it amerikan.
Ky delegacion në këtë takim zyrtar u mirëpritën nga drejtori i Drejtorisë Rajonale z. Nenad Djuric dhe stafi menaxherial i kësaj drejtorie, të cilët prezantuan angazhimet dhe aktivitetet policore të kësaj drejtorie rajonale të PK-së.
Kjo vizitë rezultoi me diskutimin e temave të ndryshme që ndërlidheshin me sigurinë e përgjithshme në veri, luftën kundër të gjitha llojeve të krimit, ngritjen dhe forcimin e integritetit dhe kapaciteteve policore, si dhe vazhdimin e bashkëpunimit me të gjitha institucionet relevante vendore dhe ndërkombëtare.
Ambasadori Kosnett dhe Shillova vlerësuan lart punën dhe përpjekjet e vazhdueshme që zyrtarët e kësaj drejtorie po bëjnë për sigurinë e të gjithë qytetarëve dhe njëkohësisht inkurajuan ata që të angazhohen edhe më shumë në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, me qëllim të krijimit të një klime më të qetë dhe më të sigurt për të gjithë qytetarët pa dallime.
Drejtori i Departamentit të Hetimeve, Shillova, i siguroi drejtuesit e DRP-Mitrovicë Veri, se stafi menaxherial i PK-së do t’i përkrahë dhe do t’i mbështesë në vazhdimësi me të gjitha kapacitetet policore që vlerësohen të nevojshme në ngritjen profesionale dhe arritjen e rezultateve edhe më të larta.
Në anën tjetër edhe ambasadori Kosnett konfirmoi mbështetjen e vazhdueshme të Ambasadës së Amerikës ndaj Policisë së Kosovës dhe drejtorive rajonale, veçanërisht në lidhje me fuqizimin e sundimit të ligjit në Kosovë.