Ambasadori i SHBA-së në Kosovë. Philip Kosnett, ka thënë se Kosovës i duhet rritje e sektorit privat për ta përmbushur atë qëllim dhe qeveria duhet ta marrë më seriozisht mbështetjen e sektorit privat.
Ai në organizimin e ambasadës amerikane që u mbajt mbrëmë në Prishtinë për të shënuar partneritetin SHBA-Kosovë, ka thënë se në këtë drejtim duhet të angazhohet më shumë qeveria e re, transmeton Klan Kosova.
“Është me rëndësi që qeveria e ardhshme, çfarëdo forme të ketë, ajo qeveri e ardhshme duhet të jetë e përkushtuar për të ndërmarrë veprim konkret për ta rritur mundësinë për përshtatje dhe konkurrencën e sektorit privat të Kosovës. Që bizneset të lulëzojnë, qeveria duhet të zvogëlojë korrupsionin dhe të promovojë standarde profesionale në qeveri, biznes dhe arsim”, është shprehur ai ndër të tjera.
“Rritja ekonomike po ashtu varet nga tregtia dhe integrimi ekonomik ndërkufitar, e qeveria duhet të ketë rol prijës edhe këtu. Kosova është shembull i mirë i një vendi me treg të vogël vendor që nuk mund të bazohet vetëm në konsumin e brendshëm për të nxitur rritjen”.
Sipas tij konflikti i pazgjidhur me Serbinë i kontribuon perceptimit në mesin e investitorëve të mundshëm për pasigurinë dhe paparashikueshmërisë në vend, që thekson se rezulton me shpenzime më të mëdha të transportit dhe logjistikës, pamundësi të organeve ekzekutive për të lëvizur lirshëm dhe vështirësi për të formuar aleanca ndërkufitare.
“Arritja e marrëveshjes gjithëpërfshirëse me Serbinë do të ishte transformuese për ekonominë e Kosovës dhe për të gjitha bizneset tuaja sepse do t’ia mundësonte Kosovës të përfitonte plotësisht nga njëra prej përparësive më të rëndësishme krahasuese – qasja në tregun evropian. Qeveria e vetme nuk mund të sjellë konkurrueshmëri dhe përparim në Kosovë. Edhe bizneset luajnë rol në këtë. Si shembuj të suksesit të sektorit privat, anëtaret e Odës ekonomike amerikane në Kosovë mund të luajnë rol të rëndësishëm për shpejtimin e rritjes ekonomike”.