Lëvizja FOL ka mbajtur diskutimin “Forumi FOL Hapur” ku të ftuar kishte ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip Kosnett, raporton Ekonomia Online.
Ambasadori amerikan ka bërë thirrje që qytetarët e Kosovës të mos dekurajohen nga gjendja në Kosovë, por që si shoqëri demokratike të përdorin mjetet demokratike për luftimin e rasteve të korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe të sfidojnë klasën politike.
“Kosova ka arritur shumë në sundimin e ligjit. Nuk mendoj që duhet të shkurajohuni që ta luftoni korrupsionin dhe ta forconi sundimin e ligjit. Është e rëndësishme që njerëzit të mos bien pre e problemeve të sotshme. Njerëzit në Kosovë kanë luftuar për ta ndërtuar një demokraci dhe mendoj se është e rëndësishme që njerëzit të mos heqin dorë nëse janë të pakënaqur me klasën politike”, tha Kosnett.
Ndërsa, për të drejtat e grave, ai tha se Kosova po qëndron ende shumë prapa me këtë aspekt.
“Është për të ardhur keq që Kosova që po arrin përparim në shumë fusha ende ka pengesa në të drejtat e grave. Përqindja e grave në fuqinë punëtorë është ndër më të ulëtat në botë. Nuk besoj që Qeveria nuk po dëgjon. Nganjëherë Qeveria bën ndryshime, është e rëndësishme të theksohet se Kosova është demokraci dhe keni shumë mundësi për të sfiduar zyrtarët”, ka thënë Kosnett.
Ai dha përgjigje edhe për protestën e nesërme të Lëvizjes Vetëvendosje ndaj kryeprokurorit Aleksandër Lumezit.
“Demonstratat paqësore janë aspekt i drejtësisë dhe duhet të kenë të drejtë të protestojnë në mënyrë paqësore. U shokova kur kuptova që partitë politike ishin angazhuar në vepra të dhunshme në Kuvend. Gazi lotsjellës në Kuvend, ato veprime nga partitë politike reflektojnë shumë keq në reputacionin e Kosovës në skenën botërore. Partitë politike kanë përgjegjësi shumë të madhe”, tha ai, raporton EO.
Sa i përket rastit të ish prokurorit Elez Blakaj dhe hetimet ndaj zyrtarëve të lartë, ambasadori nuk u përgjigj me arsyetimin se nuk dëshiron të diskutoj për raste individuale dhe se nuk është i informuar mirë për rastet.