Ministrja e Drejtësisë, Donika Gervalla ka njoftuar se bashkë me ministren e Drejtësisë së Mbretërisë së Belgjikës, Annelies Verlinden kanë nënshkruar Marrëveshjen dypalëshe për Ndihmë të Ndërsjellë Juridike në Çështjet Penale.
Sipas saj, kjo marrëveshje synon të rrisë efikasitetin në luftimin e krimit transnacional dhe të forcojë bashkëpunimin ndërmjet dy shteteve.
“Marrëveshja mes dy vendeve tona mike pritet ndër të tjera të rrisë ndjeshëm efikasitetin në luftimin e krimit transnacional, dhe njëkohësisht krijon bazën ligjore për themelimin e grupeve të përbashkëta hetimore”, ka shkruar Gervalla.
Ajo ka bërë të ditur se marrëveshja përfshin dispozita të avancuara për ngrirjen, sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurisë, si dhe për shkëmbimin e provave dhe informatave ndërmjet institucioneve.
“Përfshin dispozita të avancuara për ngrirjen, sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurisë, shkëmbimin e provave dhe informatave, si dhe marrjen e dëshmive përmes videokonferencës, në përputhje me praktikat më moderne ndërkombëtare”, thuhet në njoftim.
Tutje, ajo theksoi se marrëveshja përcakton qartë mekanizmat e ndihmës juridike në çështjet penale, përfshirë kushtet, procedurat dhe bazat për refuzim të kërkesave.
“Përcaktohen qartë format dhe mekanizmat e ndihmës juridike në çështjet penale, duke përfshirë kushtet për ofrimin e ndihmës, bazat për refuzim, legjislacionin e zbatueshëm dhe procedurat që ndiqen”, ka theksuar ajo.
Gervalla falënderoi homologen e saj belge për pritjen dhe bashkëpunimin.
“Ministren Verlinden e falënderoj përzemërsisht për mikpritjen e ngrohtë dhe bisedën konstruktive e frytdhënëse, si dhe për angazhimin e përbashkët drejt thellimit të mëtejmë të bashkëpunimit”, ka shkruar ajo.