Kryeparlamentari, Kadri Veseli, dhe ambasadori i Ambasadës Britanike në Prishtinë, Ruari O’Connell, kanë nënshkruar Memorandum Bashkëpunimi për vazhdimin e projektit për rekrutimin e njerëzve profesionalë në pozita të larta.
Kryeparlamentari Veseli tha se Kosova ka nevojë për kuadro profesionale, raporton Ekonomia Online.
“Rekrutimin e pozitave të larta në institucionet e Kosovës. Kemi pasur probleme dhe kritika në rekrutimin e njerëzve në pozita të larta. Prandaj kemi filluar një projekt që do t’i luftonte pabarazitë. Kosova ka nevojë për ambient që është i pakorruptuar. Kjo është duke ndodhur duke iu falënderuar këtij bashkëpunimi”.
“Ky projekt i ndihmon Kosovës që të ecë përpara dhe e rrit besueshmërinë e kuadrove profesionale. Jam i vendosur që të shkoj deri në fund duke bërë dekriminalizimin politik e shoqëror. Do të vazhdoj edhe vettingu në gjyqësor dhe politik”.
Ambasadori i Britanisë në Kosovë, Ruari O’Connell, tha se përmes këtij projekti do të adresohen rastet e nepotizmit, raporton EO.
“Më vjen shumë mirë që pas dy viteve të nënshkruajmë marrëveshjen për rekrutimin e pozitave të larta. Gjithë ky projekt do ta adresojë nepotizmin dhe njerëzit joprofesionalë që vendosen në pozita. Në raste të tilla, kur joprofesionistët vendosen në pozita jo të duhura, Kosova mbetet mbrapa”.
“Suksesi i këtij projekti do të jetë sukses i Kosovës. Projekti ka ndihmuar që njerëzit profesionistë të emërohen në pozita të larta. Kosova ka shumë kuadro të përgatitur, të cilëve duhet t’u jepet mundësi”.
Partner implementues i këtij projekti është BIRN-i.