Qeveria e Republikës së Kosovës dhe Dukata e Madhe e Luksemburgut nënshkruan Marrëveshjen Bilaterale për Bashkëpunim Zhvillimor dhe Memorandumin e Mirëkuptimit (MM) në ceremoninë e mbajtur në Prishtinë më 21 korrik 2022. Të dyja marrëveshjet u nënshkruan nga z. Besnik Bislimi, Zëvendëskryeministër i Parë për Integrime Evropiane, Zhvillim dhe Dialog, si përfaqësues i Kosovës, dhe z. Franz Fayot, Ministër për Bashkëpunim Zhvillimor dhe Çështje Humanitare, si përfaqësues i Dukatës së Madhe të Luksemburgut.
Marrëveshja Bilaterale është e vlefshme deri në vitin 2030 dhe MM-ja pasqyron fushat e ndërhyrjeve, të dakorduara në mënyrë reciproke, për periudhën 2023-2025. Sektorët prioritarë për bashkëpunimin e përbashkët zhvillimor ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Dukatës së Madhe të Luksemburgut do të jenë: 1. Arsimi dhe Aftësimi Profesional (AAP); 2. Shëndetësia; 3. Rritja e qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse; dhe 4. Fuqizimi i Shoqërisë Civile në Kosovë. Vlera e kontributit indikativ financiar i dhënë nga Dukata e Madhe e Luksemburgut për zbatimin e projekteve dhe programeve në sektorët prioritarë të radhitur më lart është përcaktuar të jetë tridhjetë e pesë (35) milionë euro gjatë periudhës trevjeçare ndërmjet datës 1 janar 2023 dhe 31 dhjetor 2025.
Gjatë ceremonisë, kryesuesi i delegacionit të Kosovës, z. Besnik Bislimi, Zëvendëskryeministri i Parë për Integrime Evropiane, Zhvillim dhe Dialog, theksoi që përderisa këto marrëveshje kanë qenë vazhdim i mbështetjes që Republika e Kosovës e ka marrë nga Dukata i Madh i Luksemburgut në kuadër të bashkëpunimit zhvillimor, qëllimi afatgjatë mbeti thellimi i mëtejshëm i partneritetit ndërmjet dy vendeve dhe fokusimi në bashkëpunimin ekonomik dhe investimet e përbashkëta në mbështetje të rrugës së integrimit evropian për Kosovën në të ardhmen. Ai theksoi që ndërhyrjet e përzgjedhura ishin fokusuar në fushat ku Kosova do të mund të përfitonte nga përvoja e Luksemburgut dhe të ofronte potencial për sinergji.
Kryesuesi i delegacionit të Luksemburgut, z. Franz Fayot, Ministër për Bashkëpunim Zhvillimor dhe Çështje Humanitare tha se nënshkrimi i marrëveshjes bilaterale dhe MM-së ka shënuar një moment historik në partneritetin e gjatë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Dukatës së Madhe të Luksemburgut. Ai theksoi që kalimi nga bashkëpunimi tradicional zhvillimor, i cili ka përcaktuar raportet ndërmjet të dyja vendeve për dy dekadat e fundit, në një partneritet më të larmishëm dhe të zhvilluar plotësisht ka mundësuar zhvillimin e pikave të forta dhe vlerën e shtuar të secilit partner.
Marrëveshja Bilaterale do të dërgohet për aprovim në Kuvendin e Kosovës në gjysmën e dytë të vitit. Pas aprovimit, të dyja palët mund të shtjellojnë projekte të detajuara në fushat e ndërhyrjes të identifikuara më parë, të cilat është caktuar të funksionalizohen duke filluar nga viti 2023.