Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti, ka pritur sot në takim një delegacion shtetëror nga Egjipti, udhëhequr nga deputeti i Parlamentit egjiptian, ish-ministër i jashtëm i këtij shteti, Mohamed El Orabi.
Në takim u bisedua, mes tjerash, për nevojën që sa më shpejt të dy palët të marrin vendimin për hapjen e ambasadave në vendet respektive.
Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës kërkoi nga ish-kryediplomati egjiptian që Kajro zyrtare të vazhdojë të ushtrojë ndikimin e vet tek ato shtete të botës islame të cilat ende nuk e kanë njohur Kosovën, që sa më shpejt ta bëjnë këtë.
Nënkryetari Haliti dhe deputeti El Orabi theksuan se midis shteteve ka ende shumë hapësira për bashkëpunim, në interes reciprok për të dyja vendet.
“Marrëdhëniet me Egjiptin kanë qenë historikisht të mira. Nga Egjipti kemi çfarë të mësojmë, sepse nga ky vend ka pasur çfarë të mësojë mbarë njerëzimi”, theksoi Haliti.
“Biseduam për marrëdhëniet e qytetarëve dhe dy vendeve tona. Biseduam edhe për vendimin që duhet të hapen ambasadat në të dy palët… Ramë dakord që e ardhmja e marrëdhënieve tona të jetë edhe më e mirë dhe se kemi mundësi të zhvillimit të turizmit dhe fushave që janë në interes te veçantë”, tha Haliti.
Ish-ministri i jashtëm egjiptian, deputeti Mohamed El Orabi, theksoi se marrëdhëniet e mira midis dy vendeve të vazhdojnë edhe në të ardhmen.
“Jemi të vendosur për ta zgjeruar marrëdhënien tonë. Ne jemi nisur në drejtim të reformave të reja ekonomike dhe qytetarët e Egjiptit janë të vendosur të paguajnë çmimin në mënyrë që shteti i tyre të këtë stabilitet dhe prosperitet”, theksoi parlamentari egjiptian El Orabi.
Ky takim u mundësua nga Akademia Diplomatike e MPJ-së së Kosovës.