Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, zhvilloi takim pune me ambasadoren e Republikës së Kroacisë Marija Kapitanović.
Në këtë takim kryeprokurori Lumezi, duke theksuar gatishmërinë e tij për të kontribuar në funksion të fuqizimit të sundimit të ligjit në vendin tonë, e njoftoi ambasadoren Kapitanović për organizimin, funksionet, kompetencat dhe juridiksionin e Prokurorit të Shtetit.
Poashtu gjatë këtij takimi, është biseduar edhe për luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë, për vështirësitë në procese hetimore, gjithashtu për vështirësitë dhe sfidat me të cilat ballafaqohen dy sistemet prokuroriale lidhur me përmbushjen e kritereve për proceset e integrimeve evropiane.
Kryeprokurori Lumezi dhe ambasadorja Kapitanović ndër të tjera biseduan edhe për bashkëpunimin në mes prokurorive të dy vendeve në luftën kundër krimit të organizuar transnacional.
Të dyja palët u pajtuan se do të angazhohen të punojnë për thellimin e bashkëpunimit në mes sistemit prokurorial të Republikës së Kosovës dhe sistemit prokurorial të Republikës së Kroacisë, përmes Ambasadës së Kroacisë në Prishtinë.
Poashtu gjatë këtij takimi ambasadorja kroate premtoi se do ta organizojë së shpejti një takim në mes kryeprokurorit të Republikës së Kroacisë dhe kryeprokurorit Lumezi, për të shkëmbyer përvojat e prokurorive të dy vendeve në luftën kundër kriminalitetit, me qëllim të rritjes së efikasitetit të sistemit prokurorial të Kosovës.