Qeveria e Kosovës ka nënshkruar sot dy marrëveshje me Luksemburgun që kapin vlerën e 35 milionë eurove dhe do të implementohet për tri vite, raporton Ekonomia Online.
Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi pas nënshkrimit të këtyre marrëveshje, ku përfshihet Marrëveshja dypalëshe për Bashkëpunimin për Zhvillim dhe Memorandumin e Mirëkuptimit për Zbatimin e Marrëveshjes, tha se me këtë po thellohet bashkëpunimi Kosovë-Luksemburg.
“Me këtë marrëveshje po e vendosim kornizën e përbashkët sa i përket bashkëpunimit për zhvillim, edhe pse memorandumi përcakton fonde 2023-2025 dhe janë projekte që janë zgjedhur për intervenim në Kosovë dhe të financuara nga duka i Luksemburgut”, tha Bislimi.
Ai shtoi se fushat e intervenimit që do të përkrahen nga Luksemburgu janë: arsimi, shëndetësia, rritja ekonomike e qëndrueshme, zhvillim i shoqërisë civile dhe fusha e inovacionit
“Shuma aktuale indikative me këtë marrëveshje si përkrahje nga Luksemburgu ndaj Qeverisë së Kosovës për këto tri vite është 35 milionë euro apo afërsisht 12 milionë euro për secilin vit”, tha Bislimi.
Zëvendëskryeministri shtoi se përtej bashkëpunimit për zhvillim synimi jonë mbetet që të thellohet edhe më tej bashkëpunimi.
Nënshkrimi i marrëveshjeve u bë nga zëvendëskryeministri Besnik Bislimi dhe Ministri për Bashkëpunim Zhvillimor dhe Çështje Humanitare, njëherit Ministër i Ekonomisë i Dukatës së Madhe të Luksemburgut, Franz Fayot.
Ndërsa ministri i Ekonomisë së Luksemburgut, Franz Fayot, përmendi edhe fushat në të cilat fokusohen këto marrëveshje.
“Arsimi, aftësimi profesional, janë fushat që do të implementohet kjo marrëveshje dhe ky memorandum bashkëpunimi ka fokus në TIK dhe tranzicionin e gjelbër dhe digjital të Kosovës. Kjo fushë e re do të integroj sektorin privat nga Luksemburgu dhe Kosovës. Ka shumë mundësi në këtë fushë, shkëmbimet e para janë zhvilluar nga të dyja palët, si me vizitat tona këtu, si me delegacionet që kanë vizituar Luksemburgun”, tha Fayot.