Ministria e Punëve të Brendshme e Republikës së Kosovës dhe Ministria e Punëve të Brendshme e Republikës së Maqedonisë, kanë nënshkruar marrëveshje për njohjen reciproke të patentë shoferëve.
Në këtë ceremoni u nënshkrua gjithashtu edhe memorandumi për forcimin e bashkëpunimit në fushën e kontrollit të brendshëm, raporton Ekonomia Online.
Ministri i MPB-së, Ekrem Mustafa, tha se kjo marrëveshje është me rëndësi që të ngritët besueshmëria mes dy shteteve.
“Është mundësi e mirë që të ngritët besueshmëria mes të dyja shteteve. Kjo i ofron qytetarëve një korditet më të mirë për të qarkulluar lirshëm. Lidhjet mes Kosovës dhe Maqedonisë janë lidhje mjaftë të mëdha. Bashkëpunimet ngrisin siguri regjionale dhe ndërkombëtare”, tha Mustafa.
E, ministri i brendshëm i Maqedonisë, Oliver Spasovski, tha se kjo marrëveshje është një mundësi e mirë për të dyja shtetet.
“Sot në takimin me kolegun Mustafa rrumbullakuam kornizën si kusht për bashkëpunim të dy ministrive. Ky proces ka filluar shumë kohë përpara dhe do të vazhdojë në atë drejtim si rezultat rrjedh nënshkrimi për pranim reciprok të patentë shoferëve. Pas hyrjes në fuqi të marrëveshjes në mënyrë reciproke do t’i pranojmë patentë shoferët. Do te kenë mundësi të ndërrojnë patentë shoferin pa pasur nevojë të hynë në test, praktikë apo me shkrim. Besojmë se ky hap do të përmirësojë bashkëpunimin mes dy shteteve. Unë pres që të ketë bashkëpunim mes policisë së Kosovës dhe Maqedonisë”, tha ai, raporton EO.
I pyetur për sigurinë ndërkufitare ministri i Maqedonisë tha se siguria është stabile. Ai tha se problemet që ishin në të kaluarën duhet të jenë mësim për të ardhmen.
“Për kohë të shkurtër presim të mbarojnë këto aktivitete dhe nga ky pikëkalim të kenë mundësi kalimi . Në lidhje me sigurinë ajo është stabile, por siguria nuk është marrëveshje e vendosur për atë arsye duhet të jemi shume aktiv, të shkëmbejmë deklarata dhe kjo varet nga dy shtet dhe varet nga qytetarët. Problemet që ishin në të kaluarën të jenë mësim se çfarë të bëjmë për të ardhmen, për këtë arsye porosis të gjithë qytetarët e dy shteteve të krijojnë paqe”, tha Spasovski.