Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, ka nënshkruar sot një memorandum mirëkuptimi me ambasadorin e Norvegjisë, Jens Erik Grøndahl dhe drejtorin ekzekutiv të Grupit për Hulumtimin e Politikave në Ballkan, Naim Rashitin, për mbështetjen e Zyrës së Kryeministrit.
Me këtë memorandum synohet forcimi i institucioneve të Republikës së Kosovës përmes mbështetjes nga ana e ekspertëve të nivelit të lartë në komunikim dhe shtrirje, për të ruajtur dhe forcuar mbështetjen publike dhe politike për dialogun, për të rritur transparencën në këtë proces, si dhe për të siguruar përfshirjen e institucioneve të tjera, akterëve joqeveritarë dhe gazetarëve.