I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka konfirmuar se të dy kryengociatorët do të takohen më 13 maj për të gjetur një zgjidhje për targat.
“I lumtur t’ju njoftoj se pas konsultimeve të mia me dy kryenegociatorët dje dhe sot, ne ramë dakord të vazhdojmë diskutimet tona për gjetjen e një zgjidhjeje të përhershme për çështjen e targave në Bruksel më 13 maj”, ka shkruar Lajçak në Twitter.
Ndryshe, Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, kishte zhvilluar takim trilateral me homologun serb Petar Petkoviq dhe Emisarin Miroslav Lajcak, më 21 prill, por s’ishte nënshkruar asnjë marrëveshje përfundimtare për targat.
Më 30 shtator të vitit të kaluar në Bruksel është arritur një marrëveshje e përkohshme lidhur me targat, me kusht që një marrëveshje përfundimtare të arrihej brenda gjashtë muajsh.