Dita e Pavarësisë së ShBA-së është njëkohësisht edhe festë për shqiptarët në Kosovë. Po aq sa edhe pavarësia e vendit, 4 Korriku – Dita e Pavarësisë së SHBA-së – për qytetarët e Kosovës shënon një kremtim të veçantë.
Në këtë Ditë në Prishtinë, në Bulevardin “Bill Clinton”, pikërisht përpara shtatores së presidentit Clinton, më 4 korrik është ngritur flamuri amerikan. Ndërkohë Shoqata “Miqtë e Kosovës” gjatë ditë ka planifikuar dhe aktivitete të tjera për të shënuar këtë ditë.
Shtatorja e Bill Clintonit, i cili ishte në krye të ShBA-së në kohën e çlirimit të Kosovës, ishte vendosur në vitin 2009 dhe tregon Presidentin Clinton me një dokument në dorë të 24 Majit 1999, me të cilin miratohet hyrja e trupave të NATO-s në Kosovë.
Kryetari i Shoqatës, Agim Rexhepi, thotë se për “kosovarët dhe përgjithësisht shqiptarët, Dita e Pavarësisë së SHBA-së është e një rëndësie të posaçme, një obligimi moral dhe njerëzor ndaj SHBA-ve, për shkak “të të gjithë asaj që kanë bërë përgjatë gjithë historisë e në veçanti në vitin 1999, kur me aleatët e tyre e ndalën spastrimin etnik”.
“Pjesa dërrmuese e kosovarëve e vlerësojnë shumë këtë, por mendoj se është e nevojshme të bëhet edhe më shumë, përveç aktiviteteve me rastin e 4 Korrikut, me qëllim të dëshmimit të respektit ndaj SHBA-së. Me këtë forcohet vetëdija e opinionit në Kosovë dhe përçohet një porosi e fuqishme në SHBA”, thotë Rexhepi.
Në bazë të një hulumtimi të Gallup International, të zhvilluar në 139 shtete të botës, Kosova radhitet për herë të dytë, vendi më pro amerikan.