Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi së bashku me përfaqësuesit e departamenteve AMMK-së dhe ARPL-së sot kanë lansuar projektin e bashkëpunimit me Agjencinë për Mbrojtjen e Mjedisit të Suedisë- (SEPA) dhe Agjencinë për Menaxhimin e Ujërave të Suedisë -SWAM.
Gjatë kësaj ceremonie është nënshkruar një marrëveshje për mbështetjen e projektit nga dy agjencitë e shtetit të Suedisë, SEPA dhe SWAM.
Ky projekt ka për qëllim mbështetjen e Ministrisë së Mjedisit, në ndërtimin dhe menaxhimin e informacioneve që kanë të bëjnë me ujërat dhe mjedisin si dhe përgatitjen e Kosovës për të negociuar marrëveshjet me Bashkimin Evropian.
Me këtë rast, ministri Matoshi tha se vendi ynë në të kaluarën nuk e ka pasur prioritet mjedisin, ndërsa aktualisht mjedisi ka vëmendjen e të gjithëve.
“Tashmë çështjet mjedisore kanë vëmendjen e Qeverisë së Kosovës, kryeministrit, deputetëve dhe po marrin çdo ditë e më shumë edhe të donatorëve dhe miqve tanë”, deklaroi ministri Matoshi.
Ai tha se në të kaluarën vendin ynë, si shtet i dalë nga lufta ka investuar më shumë në çështje infrastrukturë sesa në mjedis.
“Prioritetet e vendit tonë në të kaluarën nuk i kanë dhënë mbështetje mjedisit, planifikimit hapësinor, ruajtjes së lumenjve dhe arsyeja është e thjeshtë, ne jemi një shoqëri e dal nga lufta tash e 20 vite më herët, shkatërrime të mëdha ka ndodhur në këtë vend , dhe kemi pasur një dëmtim të madh të infrastrukturës në përgjithësi”, tha ministri Matoshi.
Matoshi tha se me ndihmën e donatorëve dhe miqve, Kosova tashmë i është kthyer investimeve në mjedis ndërsa falënderoi shtetin e Suedisë për mbështetje në avancimin e çështjeve mjedisore përmes ekspertëve të këtij shteti.
Ndërsa Ilir Morina, kryeshef ekzekutiv i Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës vlerësoi si të domosdoshëm mbështetjen e Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit të Suedisë (SEPA) duke ofruar ekspertë për MMPH-në.
Ndërsa Nasrin Porghazian, shefe e Bashkëpunimit për Zhvillim në Ambasadën e Suedisë në Prishtinë tha se shteti i tyre ka mbështetur Kosovën që nga pas lufta.
“ Suedia ka qenë një mbështetëse për Kosovën që nga viti 1998. Ne kemi një partneritet mjaftë të gjatë me Kosovën dhe po synojmë të mbështesim Kosovën në këtë drejtim. Reformat tona dhe strategjia bashkëpunuese është e fokusuar në tri fusha të ndryshme dhe këto fusha janë zhvillimi i tregut, demokracia, të drejta e njeriut dhe mjedisi dhe klima”, deklaroi Porghazian.
Ndërsa Nina Galadze Ekstedt, këshilltare për mjedis në SIDA dhe Ulrik Westman përfaqësues i SEPA-së, vlerësuan lartë bashkëpunimin mes agjencive të MMPH-së dhe atyre të Suedisë.