Kosova diskriminohet në Spanjë; Nuk shfaqet flamuri në shortin e botërorit të hendbollit

Prishtinë | 21 Maj 2019 | 16:32 | Nga Ekonomia Online

Kosova U-21 ka mësuar sot shortin për kampionatin botëror të hendbollit “Spanja 2019”.

Mirëpo, ajo që nuk pritej ndodhi në hedhjen e shortit. Në shortin e hedhur sot, kombëtarja e Kosovës përfaqësohet me logon e Federatës së Hendbollit të Kosovës, dhe jo me flamurin e shtetit të Kosovës.

Për këtë çështje ka reaguar Federata e Hendbollit e Kosovës te drejtuesit e Federatës Ndërkombëtare të Hendbollit.

“Jemi të indinjuar dhe të befasuar nga ky akt i mos respektit dhe trajtimit jo të barabartë të Kosovës si shtet dhe poashtu të FHK-së. Jemi të befasuar nga trajtimi i tillë i Kosovës nga ana e Federatës Spanjolle të Hendbollit dhe të përfaqësuesit të IHF-së, Per Bertelsen, i cili e udhëhoqi shortin”, thuhet  në letrën që presidenti i FHK-së, Eugen Saraçini ia ka dërguar presidentit të IHF-së, Hassan Moustafa dhe anëtarëve të Bordit Ekzekutiv të kësaj federate.

Botërori mbahet në muajin korrik në Spanjë, vend ky që e kundërshton fuqishëm Pavarësinë e Kosovës.

Në shortin e publikuar Kosova është në Grupin C së bashku me Portugalinë, Kroacinë, Hungarinë, Brazilin dhe Bahreinin.

Të ngjashme