Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Kujtim Gashi, ka nënshkruar memorandum me Komunën e Prishtinës, UNDP-në, Komitetin Olimpik dhe Federatën e Karatesë për ndërtimin e një qendre sportive për zhvillimin e sporteve marciale në përputhje me standardet ndërkombëtare.
Ministri Kujtim Gashi tha se ndërtimi i një objekti të tillë do të ndihmojë të rinjtë të zhvillojnë sportet marciale, raporton Ekonomia Online.
Sipas tij, detyrë e përbashkët është gjetja e fondeve për përfundimin e projektit.
“Ministria e Kulturës bashkë me komunën e Prishtinës, Komitetin Olimpik dhe Federatën e Karatesë kanë filluar një nismë që për herë të parë ta kemi një objekt të tillë dhe për herë të parë ta kemi një qendër për arte marciale”.
“Detyrë e përbashkët është gjetja e fondeve për përfundimin e projektit. Secila palë do të marr përgjegjësit e veta. Këtë akt që sot e nënshkruam bashkërisht e konsiderojmë jashtëzakonisht të rëndësishëm”.
“Vendi ynë është dëshmuar për kapacitet e talente të cilat janë shpërblyer me medalie olimpike. Sukseset e sportisteve të rijnë në sportet luftarake kanë mundësuar që Kosova të shpërblehet me çmime të ndryshme”, tha ai.
Ulrika Richardson nga UNDP, tha se sportistet shqiptarë janë të talentuar dhe kjo qendër do të ju ndihmojë të zhvillojnë sportet e marciale.
“Është kënaqësi të jemi këtu, është ceromeni simbolike por me rendësi të madhe. Kosova është pjesë e agjendës për një të ardhme më të mirë. Sportet marrin respekt nga të gjithë, bëjnë të rinjtë së bashku dhe mënjanohen konfliktet e mundshme në të ardhmen”.
“Kjo qendër promovon artet marciale. Të rinjtë kosovarë kanë korrur shumë suksese në këto sporte”, tha ajo.
Nënkryetari i Prishtinës, Selim Pacolli, tha se për ndërtimin e kësaj qendre do të ndhene 5 hektarë dhe shumë shpejt do të vendoset për lokacionin.
“Unë mendoj që është projekt i mirëseardhur për të rinjtë e Prishtinës. Ne si komunë jemi zotuar dhe zotohemi qe ti kryejmë punët tona, nuk është koha të flasim, por t’i kryejmë punët tona dhe uroj që sa më shpejt të fillojë ndërtimi i këtij kompleksi. Lidhur me hapësirën po mendojmë 5 hektarë tokë dhe po shikohen vendet e duhura”, tha ai.
Besim Hasani, president i Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK), tha se kjo është iniciativë e nevojshme për zhvillim të sporteve, raporton EO.
“Është marrë një iniciativë e shkëlqyeshme për ndërtimin e infrastrukturës për artet marciale. Infrastruktura është element kryesor për suksesin në sport”.
“Dihet se sporti është një mjet nëpërmjet të cilit arrihen shumë synime për paqen, ruhet dhe përmirësohet shëndeti i të rinjve por edhe bëhet shmangja e dukurive negative”, tha ai.
Ismet Krasniqi kryetar i Federatës së Karatesë, tha se Kosova ka talente të shkëlqyeshëm në artet marciale.
“Këto sporte luftarake kanë nevojë për hapësira të tilla, hapësira ku këta sportist kanë nevojë ti zhvillojnë aktivitetet e tyre. Pas ndërtimit të kësaj salle kemi hapësira të organizojmë evente madhështor siç organizohen në botë”.
“Stafi jonë kemi punuar që 3 muaj deri tek dita e sotme. Tash e tutje Kosova do të kemi të një sallë çfarë e meriton. Salla parashihet ti ketë 5 mijë ulëse dhe është e modelit japonez sepse sportet luftarake vijnë nga shtetet e Japonisë. Afati i përfundimit varet nga arkitektet”, tha ai.
Përmes këtij memorandumi, palët nënshkruese pajtohen që në Prishtinë të ndërtohet një Qendër Japoneze për Arte Marciale (Karate, Xhudo, Xhiu-Xhicu, Kendo, etj) në përputhje me standardet ndërkombëtare të konkurrencës, së bashku me krijimin e ‘Asamblesë së Arteve Marciale’ dedikuar këtyre disiplinave.
Palët nënshkruese do të kenë përgjegjësitë e tyre si vijon: MKRS-ja do të ndihmojë në zhvillimin dhe financimin e programeve në qendrën që do të ndërtohet, do të nxisë dhe përfshijë pjesëmarrjen e specialistëve në seminare, simpoziume dhe konferenca sportive me mjeshtra të këtyre arteve marciale si dhe do të mbështesë zhvillimin teknik dhe administrativ të këtij projekti duke siguruar fondet afatmesme; Komuna e Prishtinës do të sigurojë parcelën për ndërtimin e qendrës dhe mbështetjen për procedurat tjera që parashihen për ndërtim; Ekipi i Kombeve të Bashkuara në Kosovë/UNDP-ja do të lehtësojë koordinimin dhe marrëdhëniet me donatorët që do të ndihmojnë në ndërtimin e kësaj qendre; KOK-u do të mbështesë mundësimin e garave ndërkombëtare/rajonale në Asamblenë e Arteve Marciale si dhe do të bashkëpunojë me Komitetin Olimpik Ndërkombëtar për mbështetje financiare/logjistike; Federata e Karatesë së Kosovës do të udhëheqë projektin të cilin e ka konceptuar si të tillë dhe do të hartojë strukturën për menaxhimin e drejtë të kësaj qendre.