Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka njoftuar se Kosova për herë të parë do të jetë nikoqirja e European Federation of Journalists – EFJ për takimin vjetor të organizatës, i cili do të mbahet në maj të vitit 2024.
Takimi vjetor i EFJ-së do të organizohet nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, në kryeqytetin e vendit, Prishtinë.
“Ky takim do të shënojë një moment historik të rëndësishëm për AGK-në, dhe organizata është e gatshme për të organizuar një event të madh”, thuhet në njoftimin e AGK-së.
“Është një moment i jashtëzakonshëm në historinë e re 20-vjeçare të AGK-së, që t’i besohet një organizim kaq i madh. Ne do të mirëpresim vitin e ardhshëm në Prishtinë qindra gazetarë nga mbarë Evropë, për të diskutuar çështje të rëndësishme që lidhen me sigurinë e gazetarëve në kontinentin tonë, dhe do të jetë mundësi edhe për të treguar mikpritjen e jashtëzakonshme për të cilën njihet shteti jonë” ka thënë Kryetari i AGK-së, Xhemajl Rexha.
“Bordi Ekzekutiv i EFJ-së, nuk e ka pasur vendimin e lehtë, pasi që përpara kishte dy kandidatë të jashtëzakonshëm: Shkupin dhe Prishtinën. Kjo e tregon vendosmërinë e kolegëve tanë në Ballkan për të punuar për kushte më të mira të punës dhe siguri më të madhe në një botë jostabile. Ne mezi po presim që ta mbajmë për herë të parë Takimin Vjetor të EFJ-së në Kosovë”, ka thënë Ricardo Gutierrez, sekretar i Përgjithshëm i EFJ-së.