Nga sot e tutje, Kosova do të jetë shteti që do të organizojë dhe koordinojë Ditën e Pastrimit të Botës për vitet 2019-2020 në më shumë se 150 shtete të ndryshme. Kjo u vendos sot në kuadër të Konferencës për Ditën e Pastrimit të Botës, që po mbahet në Tallinn të Estonisë, ku po merr […]
Kosova do të jetë shteti që do të organizojë dhe koordinojë Ditën e Pastrimit të Botës për vitet 2019-2020 në më shumë se 150 shtete të ndryshme.
Kjo u vendos sot në kuadër të Konferencës për Ditën e Pastrimit të Botës, që po mbahet në Tallinn të Estonisë, ku po merr pjesë një delegacion i Let’s Do It Kosova dhe Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, si dhe përfaqësues nga 120 shtete të ndryshme.
Kosova fitoi këtë besim dhe përgjegjësi të madhe nga Lëvizja “Let’s Do It World”, për shkak të suksesit të jashtëzakonshëm që shënoi ndër vite, veçanërisht gjatë vitit të kaluar [2018], me organizimin e Fushatës tre mujore “Ta Pastrojmë Kosovën” [15 shtator – 15 dhjetor 2018].
Gjatë Konferencës që po mbahet në Tallinn [24-27 janar 2019], shteti i Kosovës u prezantua si storie suksesi, për shkak të implementimit të Fushatës, të cilës iu bashkuan 10 për qind e popullësisë së Kosovës, e cila rezultoi me pastrimin e mbi 900 deponive ilegale të mbeturinave.
Luan Hasanaj, Drejtori Ekzekutiv i Let’s Do It Kosova, i cili nga sot do ta kryesojë Fushatën për Ditën e Pastrimit të Botës për vitet 2019-2020, gjatë fjalimit të tij, falendëroi Lëvizjen “Let’s Do It World” për besimin e dhënë, si dhe premtoi angazhim maksimal të ekipit të Kosovës, për një organizim sa më të denjë të aksionit, dhe fushatës në përgjithësi.