Kosova do të përfitojë nga përvoja austriake në fushën e reformave ligjore, teknologjisë informative e trajnimeve

Prishtinë | 27 Mar 2024 | 18:03 | Nga Natyra Salihaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, të mërkurën priti në takim homologen e saj nga Federata e Austrisë, Alma Zadiç, me ç’rast nënshkruan deklaratë të përbashkët të bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve në fushën e sundimit të ligjit, raporton Ekonomia Online.

Deklarata bazohet në përpjekjet e ndërsjella për të forcuar marrëdhëniet miqësore mes të dyja vendeve, thanë Haxhiu e Zadiç në një konferencë për medie.

“Republika e Kosovës do të përfitojë nga përvoja austriake në fushën e legjislacionit, më saktësisht reformave ligjore, teknologjisë informative në fushën e drejtësisë, trajnimeve në fushën e drejtësisë, administrimit të drejtësisë etj.”, ka bërë të ditur ministrja kosovare.

“Marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve tona vetëm se kanë nisur të intensifikohen në çështje penale dhe civile”.

Ndërsa, ministrja austriake e Drejtësisë, Alma Zadiç, inkurajoi vazhdimin e reformave nga Kosova në fushën e drejtësisë, ndërsa theksoi përkrahjen e shtetit të saj për integrimin e Kosovës në familjen evropiane.

“Austria ka qenë gjithmonë mike e Kosovës kemi qenë miq. Është nder i madh për mua të vij në Kosovë, është nder për mua të theksojmë grupin e reformave dhe t’i vazhdoni ato”, tha ajo.

Tutje shtoi, se Kosova duhet të luftojë korrupsionin.

“Sundimi i ligjit fuqizimi dhe mbyllja e kapitullit të parë është e vështirë, por ne duhet të mbështesim njëri-tjetrin të kalojmë këto kapituj sa më shpejt. E ardhmja e Kosovës është në Europë dhe ky është qëllimi jonë i përbashkët dhe prioriteti ynë. Ne jemi mbështetës dhe mik i juaji në këtë drejtim”, tha Zadiç.

Të ngjashme