Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu së bashku me koordinatorin rajonal nga Zyra e Kryeministrit, Gazmend Abrashi në një konferencë për media kanë prezantuar projektet me të cilat Kosova do të prezantohet në samitin ekonomik nga BERZh, raporton Ekonomia Online.
Për dallim prej herave tjera Kosova në këtë samit, sipas Gërxhaliut do të prezantohet me projekte konkrete.
Kreu i OEK-ut tha se beson që zhvillimet e kohëve të fundit në politik nuk do të ndikojnë në ekonomi. Edhe këtë herë Gërxhaliu bëri thirrje që ekonomia në Kosovë të trajtohet me prioritet.
“Çka e bën të veçantë nga këndvështirmin i Kosovës është fakti që për herë të parë Kosova është përgatitur që të ketë projekte konkrete. Totali i vlerës do të tentohet të argumentohet dhe që është 600 milionë euro. Është e vërtetë që ky samit po ndodhë në një moment ku Kosova nuk po mund të lirohet nga një agjendë politike por dua të besoj që kemi gatishmëri që të kemi prioritet zhvillimin ekonomik. Jemi dëshmitarë të asaj se çfarë po ndodhë në Parlament ku është duke u bllokuar votimi i demarkacionit”, tha Gërxhaliu.
Ai është shprehur optimist se Kosova do të mbijetojë edhe në këtë kohë dhe do të funksionoj si shtet për inati të armiqve.
Projektet me të cilat Kosova do të prezantohet në samitin që do të mbahet më 26 shkurt në Londër, sipas këshilltarit të kryeministrit, Gazmend Abrashi, janë të fokusuara në infrastrukturë.
“Në samitin e Londrës do të marrin pjesë 6 kryeministrat e Ballkanit Perëndimor, në të cilën do të bëjmë prezantimin e projekteve nacionale. Zyra e kryeministrit qysh prej momentit që kemi fillu me u parapërgatit për këtë samit, kemi bashkëpunuar me Odën Ekonomike. Kosova në samitet e kaluara përkundër asaj që ka marrë pjesë, kësaj herë e kemi marr më seriozisht dhe kemi përgatitur 40 projekte që kanë të bëjn kryesisht me infrastrukturë”, tha Abrashi.
Prej projekteve të pranuara deri më tani, llogaritur në shumë, 300 milionë euro janë projekte private dhe 300 milionë janë projekte të tjera që janë të fokusuara në infrastrukturë ndërsa projektet private janë kryesisht të fokusuara në energji të ripërtëritshme.