Rezultatet e kaluara të testit PISA 2015, kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, i kishte quajtur të turpshme, ndërsa tani pas rezultateve të fundit, ai ka thënë vetëm se arsimi në Kosovë është gjendje jo të mirë.
Sipas Haradinajt, të gjithë janë të përfshirë dhe duhet të jenë përgjegjës për rezultatin e testit PISA për 2018-n, raporton KTV.
Pas një takimi që ka pasur me personat me nevoja të veçanta, Haradinaj ka thënë se pavarësisht faktit se janë bërë përpjekje për ta përmirësuar cilësinë, nuk ka pasur përparim të madh në arsim.
Ndërsa, ish-anëtarja e Komisionit për Arsim në Kuvend, Arbërie Nagavci, ka thënë se Kosova duhet ta ketë kryeprioritet kombëtar arsimin, pas dështimit të serishëm në testin PISA, ku doli e treta nga fundi.
Ajo ka thënë se përmirësimi i sistemit të arsimit duhet të bëhet urgjentisht, sepse sipas saj, çdo ditë e humbur rrezikon të ardhmen e fëmijëve.
“Në 6 nivelet e rezultateve që i mat PISA, 66 % të nxënësve kosovarë të testuar performuan nën nivelin e dytë, pra shumë dobët dhe vetëm 0.1 % e të testuarve ishin mbi mesatare”, ka thënë Nagavci.
Pas dështimit të Kosovës në PISA, ka reaguar edhe zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa, i cili ka thënë se Qeveria PAN shkatërroi gjithçka, përfshirë edhe të ardhmen e fëmijëve kosovarë.
Pos rezultatit të PISA-s, arsimi ishte një nga dështimet dhe sektorët më të kritikuar të Qeverisë së kaluar.
Nën udhëheqjen e Shyqiri Bytyqit dhe kryeministrit Ramush Haradinaj, Kosova përmes Agjencisë së Akreditimit, gjithashtu u përjashtua nga dy organizata të rëndësishme të arsimit – EQAR dhe ENQA.