Kosova e gatshme të bashkëpunojë me Kroacinë për spiunazhin nga Serbia

Prishtinë | 28 Gus 2025 | 17:11 | Nga Ekonomia Online

Zëdhënësi i Qeverisë në detyrë, Përparim Kryeziu, ka deklaruar se institucionet e Kosovës janë të gatshme të bashkëpunojnë plotësisht me autoritetet kroate për hetimet që lidhen me pilotin kroat dhe të dashurën e tij serbe nga Kosova, të cilët dyshohen për spiunazh në favor të Serbisë, transmeton Ekonomia Online.

Përmes një postimi në Facebook, Kryeziu ka mohuar pretendimet se e dyshuara serbe nga Mitrovica ka pasur qasje në të dhëna të rëndësishme dhe konfidenciale të Zyrës së Kryeministrit.

“Në lidhje me pretendimet se personi me inicialet A.M., serbe nga Mitrovica, e cila është arrestuar nga autoritetet kroate për dyshime për spiunazh për Serbinë, ka pasur lidhje edhe me Zyrën e Kryeministrit të Kosovës, në krye të herës duam ta bëjmë të qartë për publikun se Zyra e Kryeministrit përbëhet nga stafi civil i përhershëm dhe kabinetet e kryeministrit dhe zëvendëskryeministrave të cilat përbëhen nga të emëruar politikë. Më tej, duam të theksojmë se qasja në informacione të rëndësishme dhe konfidenciale të Zyrës së Kryeministrit është strikt e kufizuar. Andaj ne hedhim poshtë çdo pretendim se personi në fjalë mund të ketë siguruar informacione të rëndësishme dhe konfidenciale të Zyrës së Kryeministrit”, ka shkruar ai.

Kryeziu po ashtu ka theksuar se gjatë viteve të fundit Serbia ka shtuar aktivitetet e saj të spiunazhit. Ai ka përmendur arrestimin e një togeri të Policisë së Serbisë në korrik, i dyshuar për bashkëpunim me Agjencinë për Siguri dhe Informim (BIA), si dhe arrestimin e një tjetër shtetaseje serbe në muajin shkurt, e cila punonte në misionin e OSBE-së në Kosovë, gjithashtu nën dyshime për spiunazh.

Të ngjashme