Marrëveshja e djeshme në Ohër për zbatimin e Planit evropian, e finalizon dështimin e Kosovës në dialogun me Serbinë. Prej sot Kosova nuk është vetëm sipas Planit të Ahtisarit, po edhe sipas Planit të Makronit e Sholcit. Faktikisht, prej sot fillon procesi i federalizimit të Kosovës.
Etniteti serb do të jetë brenda Kosovës dhe me ligje të Kosovës, por mënyra e zbatimit të ligjeve do të jetë ndryshe. Do të jetë në stilin e tryezës suedeze, pra, serbët do të zbatojnë vetëm atë që duan. Nuk ka asnjë rëndësi a do të emërtohet Vetëmenaxhim-Asociacion-Zajednicë a qysh ndryshe, sepse do të jetë njësi më vete, me elemente të autonomisë territoriale, politike dhe etnike serbe.
Në parim, projekti nuk mund të paragjykohet sot. Pse? Sepse mund të bëhet faktor i riintegrimit të serbëve në shtetin e Kosovës. Megjithëse rreziku real është që mund të jetë faktor i secesionit të serbëve të Kosovës dhe të një konflikti të ardhshëm të armatour civil Brenda Kosovës. Por, as versioni i pare, integrues, e as i dyti, i përgjakshëm, nuk varet as prej shqiptarëve e as prej serbëve lokalë. Varet ekskluzivisht nga akterët ndërkombëtar. Nëse atyre u duhet një Siri e përgjakur, tashmë e kanë në Kosovë. Nëse u duhet një Ukrainë e përgjakur, tashmë e kanë në Kosovë. Por, nëse u duhet një Maqedoni e Veriut, me komunitete të integruara e me orientime të qarta atlantike, mund ta realizojnë edhe në Kosovë. Brenda kësaj loje gjeopolitike, Albin Kurtin nuk e pyet kush për kurrgjë. Siç nuk i kanë pyetur as pararendësit e tij për kurrgjë, as në Rambuje, as në Vjenë, as në Bruksel.
Fatkeqësia jonë shtesë është se kemi me shumicë politikanë hipokritë e gënjeshtarë, të cilët nuk ia thonë popullit të vërtetën. Nuk i tregojnë popullit se janë të pafuqishëm përballë Fuqive të Mëdha, të cilat Kosovën praktikisht e trajtojnë si protektorat, si axhent joshtetëror dhe si monedhë për kusuiritje. Mundohen të fshehin pafuqinë, paaftësinë dhe dështimin, duke përhapur gënjeshtra. Albin Kurti në këtë punë është kampion.
E shikoja mbrëmë Kurtin në atë konferencë shtypi dhe më dhimbsej, vërtet, Por ishte njeriu i duhur, në vendin e duhur. Nëse dikush duhej ta paguante faturën e një decenieje politikë abnormale dhe joreale, ai njeri duhej të ishte pikërisht Albin Kurti.
Në fakt, faturën e paguan Kosova, sepse këtë qeveri e ka sjellë në fuqi me zgjedhjen e vet të lirë.