“Kosova e Re” ishte pula me vezë të arta

Prishtinë | 06 Tet 2023 | 16:27 | Nga Muhamet Spahiu

Në të gjithë historinë tonë të shkurtër të shtetësisë, vendimet komode politike të së tashmes, ishin gjykim nga gjeneratat e ardhshme. Vendimet për shkëputje të kontratës me Contour Global, padyshim që do të jenë vendimet më të gjykuara.

20 milionë humbje në arbitrazh me Contour Global!

Në çfarëdo ndërprerje të njëanshme të marrëdhënies kontraktuale do t’i kishim humbë 19 milion. Paska shkuar vlera në 20 milionë.

Çfarë janë 20 milionë për Kosovën!?

Asgjë!

2-5 km autostradë!

Buxheti i Kosovës ka fituar qëndrueshmëri ndër vite që 20 milion mos të jenë problem për çfarëdo projekti që vendimmarrja politike vendos me investu.

Çfarë ka humb Kosova vërtet me Contour Global nuk matet me 20 milionë!

Contour Global mund të mos ishte mundësia e artë e Kosovës, pasi që kapacitetet
termoenergjetike nuk konsiderohen investime të kohës. Gjithsesi dhe pa asnjë dyshim, së paku ishte mundësia jonë e argjendtë. Apo mundësia jonë më e mirë që mund të na ndodhte në Contur Global ishte mundësia e fundit për Kosovën që të ngrisim kapacitetet energjetike me kosto të ulët, duke i shfrytëzuar potencialet nacionale.

Kosova C apo Kosova e Re ishte punë jo më pak se 15 vite përpjekje, punë e gjatë dhe mbi të gjitha kosto e lartë e shpenzimeve të krijuara për të mundësuar ndërtimin e Kosova e Re, që më në fund u kontraktua një investitor i jashtëm, fatmirësisht investitor amerikan.

Përveç që ishte një proces i gjatë dhe i kushtueshëm, Kosova e re ishte mundësia e fundit për Kosovën që të ndërtoj kapacitete të reja termo-energjetike. Komisioni Evropian me shumë direktiva ka bërë ndalesë për ndërtimin e kapaciteteve të reja termo-energjetike dhe Kosova e kishte kapur mundësinë e fundit që të marrë leje për ndërtimin e këtij kapaciteti. Sipas lejes dhe kontratave me Contour Global, Kosova e Re do të operonte sipas direktivave të Komisionit Evropian dhe Traktatit të Komunitetit të Energjisë (konsum më të ulët të linjitit dhe ujit, emetimet e pluhurit do të reduktohen me 93%, ndërsa SOx dhe NOx do të reduktohen me 84% dhe 93% respektivisht, duke ulur CO2 me 37%). Fillimi i procedurave të reja për ndërtim të kapaciteteve termo-energjetike si duket ka perënduar.

Sektori i energjisë në Kosovë në të gjitha fazat e saj ishte cak i keqpërdorimeve dhe përfitimeve qindra milionëshe të njerëzve të lidhur me politikën apo të vet politikës. E gjithë kjo mundësi e artë për mafinë energjetike është krijuar nga involvimi i politikës në kapacitetet energjetike, si pasojë e pronësisë së saj publike, dhe nga mungesa e konkurrencës. Ndërtimi dhe operimi i Kosova e Re nga Contour Global do të kishte krijuar konkurrencë lojale dhe do të kishte ndryshuar strukturën pronësore e kapaciteteve energjetike. Do të kishte edhe kapacitete private të cilat do të kishin ngushtuar dukshëm lirinë e politikës në vendimmarrje. Mafia energjetike (politike) gjithnjë e më e fuqishme po shkakton gjakderdhje të lartë financiare në këtë sektor, edhe pse nuk shihet nga publiku pasi që Kosova ka resurse të bollshme të lidhura me këtë sektor.

Termocentrali Kosova e Re do të siguronte furnizim të qëndrueshëm me energji si parakusht për investime të ardhshme që do të kontribuonte në zhvillimin ekonomik të Kosovës. Gjatë fazës së ndërtimit do të krijoheshin mundësi të reja direkte punësimi ndërsa gjatë operimit do të sigurojë vende pune afatgjatë. Një investim prej 1 miliard e 300 milionë eurosh nga Contour Global, investime që do të e kishin përmirësuar dukshëm për disa vite indikatorët e investimeve të huaja në Kosovë. Kosova e Re do të hapte 500-700 vende pune të përhershme të punës, dhe të paguara shumë mbi mesataren e pagës në Kosovë. Me angazhimin e operatorëve lokal në ndërtim, të cilët vuajnë nga mungesa e punës, do të hapeshin 10 mijë vende të reja të punës, ani pse të përkohshme, do të zgjatnin deri në tre vite. Gjatë procesit të ndërtimit Kosova do të kishte ndjerë një rrjedhë të shëndetshme financiare që do të i kishte dhënë infuzion te të gjithë sektorëve tjerë. Përveç kësaj, Kosovës do të iu ishin shtuar pasuritë nacionale, pasi që pas 20 vitesh operimi, pronësia e termocentralit do t’i kalonte Qeverisë pa kosto.

Kosova edhe sot ka reduktime të furnizimit me energji elektrike (nuk e di nëse ka ndonjë vend në Afrikë që e ka këtë problem), në vend që sot të kishte kapacitete bruto 500 MW (60% e kërkesës aktuale), apo neto 450 MW energji që shpërndahet në rrjet (për arsye që 10% do të përdorej për funksionimin e TC Kosova e Re). Kosova e Re do të kishte nxirrte nga puna Kosovën A, e cila teknologji është sa e kushtueshme, po aq edhe e pashëndetshme. Edhe pse Kosova është e detyruar nga KE që mbi 30% të ndërtoj kapacitete të ripërtritshme, ende ka nevojë që të plotësoj kërkesën tjetër nga burimet tjera, të cilën Kosova e ka nga kapacitetet termo. Kosova e Re përveç shkëputjes së varësisë nga importi që kemi dhe plotësimit të nevojave nacionale, do të mundësonte import të vazhdueshëm të energjisë elektrike, nga e cila Kosova do të kishte përfitime të gjithanshme, si në të hyra të reja që do të kishin mundësua edhe më tutje përsosje të kapaciteteve energjetike, po ashtu në përshpejtim të zhvillimit ekonomik dhe përmirësim të dukshëm të bilancit tregtar.

Benefitet nga Kosova e Re nuk kufizoheshin vetëm nga energjia elektrike. Kosova e re parashihej të prodhonte energji termike prej 200 MW (nëse prodhohet energji termike ulet kapaciteti i prodhimit të energjisë elektrike për 10%). Me këto kapacitete, komuna e Prishtinës dhe disa komuna tjera përreth do të kishin të zgjidhur përherë çështjen e ngrohjes. Pra do të ishte një mundësi perfekte e kogjenerimit.

Të ngjashme