Profesori i Universitetit të Prishtinës, Agim Zogaj vlerësoi se marrëveshja finale apo historike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është ende e largët.
Zogaj theksoi se Serbia po vazhdon të punojë kundër Kosovës.
“Pikëpamja ime është se jemi ende larg për të arritur një marrëveshje historike ndërmjet dy shteteve. Dialogu është proces, por Serbia po vazhdon të punojë kundër Kosovës, duke u përpjekur të minimizojë arritjet e Kosovës”, tha Zogaj në Radio Televizionin e Kosovës.
Sipas tij, nëse nuk ka njohje nuk mund të quhet përmbyllje e një procesi.
“Kosova duhet të njihet nga Serbia që të kemi një marrëveshje historike. Deri më tani Serbia nuk ka treguar gatishmëri të madhe për të pasur një marrëveshje historike. Nuk ka pozicion paqësor nga Serbia, nëse i krahasojmë deklaratat dhe retorikën e Serbisë nga Kosovës”, tha ai.
Zogaj tha se pa njohjen e Kosovës nga ana e Serbisë nuk mund të ketë kurrfarë arritje.
“Nëse vazhdohet në këtë mënyrë, kemi vetëm proces. Marrëveshje e ndërmjet dy shteteve është shumë e largët, deri sa Serbia vazhdon me politikat jo paqësore, duke mos fshehur pretendimet territoriale të saj ndaj Republikës së Kosovës”, tha ai.
Profesori i Universitetit të Prishtinës, Agim Zogaj, tha se Kosova nuk ka pretendime territoriale ndaj Serbisë, por Serbia ende po vazhdon të mendojë për impenjime.