Qeveria e Kosovës ka shpallur 11 korrikun si Ditë Përkujtimi për gjenocidin në Srebrenicë. Mbledhja e sotme e Qeverisë nisi me një minutë heshtje në nderim të viktimave të gjenocidit në Srebrenicë, raporton Ekonomia Online.
Kryeministri Albin Kurti ka thënë se shpallja e 11 korrikut si Ditë Përkujtimi për gjenocidin në Srebrenicë është veprim fisnik e i duhur në emër të Kosovës.
“Këtë vit, shënuam 25-vjetorin e çlirimit. Kujtojmë masakrat e kryera, përkujtojmë viktimave e luftërave të viteve ‘90. Kujtojmë 8.372 burra e djem të Srebrenicës që u vranë nga forcat serbe në masakrën më të madhe në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore. Javën e kaluar, ushtria serbe kaloi në një paradë në Prijedor pa leje të shtetit të Bosnjës. Vetëm katër ditë para përkujtimit të gjenocidit të Srebrenicës. Po i bashkohemi memoralizimit bazuar në rezolutën që kemi miratuar në Kuvend që dënon gjenocidin në Srebrenicë, në vijim të rezolutës në Parlamentin Evropain dhe rezolutës së miratuar në Asamblenë e OKB-së gjatë prillit të këtij viti. Është veprim fisnik e i duhur në emër të Kosovës e të dëshirës sonë për drejtësi e paqe. Që të mos harrohet e të mos përsëritet gjenocidi as në Srebrenicë, as në Kosovë, as në rajonin tonë e askund në botë”, ka thënë Kurti.