(E plotësuar) Pas përfundimit të mbledhjes së tetë të përbashkët të qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, dhe nënshkrimit të 19 marrëveshjeve të përbashkëta, kryeministri Albin Kurti dhe Edi Rama dolën në një konferencën të përbashkët për media.
Me këtë rast kreu qeverisë së Kosovës, Albin Kurti tha se gëzohet që sot u dakorduan për 19 marrëveshje të reja bilaterale
“Tetë ditë më parë festuam 23-vjetorin e çlirimit dhe ditën e Paqes, sot shënojmë 23 vjetorin e refugjatëve tanë më 1999. Tani kur shënojmë ditën e refugjatëve nuk mund se si të mos jem falënderues ndaj Shqipërisë. Ne kuptojmë lehtësimin dhe mbështetjen që na ka ardhur nga vëllezërit e motrat dhe miqtë tanë. Kosova dhe Shqipëria kanë trend të bashkëpunimit tregtar. Sot importojmë nga Shqipëria më shumë se asnjëherë më parë. Projekti Durrës-Prishtinë është ndër projektet më të mëdha”, tha Kurti, transmeton RTK.
Kreu i qeverisë, tha se Kosova dhe Shqipëria kanë një bashkëpunim shumë të mirë, të shkëmbimit tregtar, “tani po shtohet edhe projekti i hekurudhës Durrës – Prishtinë dhe kjo do të ndihmojë edhe më shumë në zhvillimin tonë”.
Rama: “Ballkani i Hapur” as nuk na bashkon, por as nuk na ndan
Kurse, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama tha se, është kënaqësi që sot është këtu, kjo për faktin që sot është bërë një bilanc pozitiv për bashkëpunimin në mes dy vendeve.
“Sot kemi rënë dakord që në kuadrin e 110 vjetorit të mbajmë Kuvendin e përbashkët në mes të dy vendeve. për të ju adresuar popullit shqiptar. Kemi rënë dakord që të kemi edhe revistën e përbashkët të dy Qeverive, e cila do të publikohet rregullisht në çdo fundvit”.
Rama tha se volumi tregtar kur ai ka filluar ka qenë 136 milionë euro, kurse sot në mbi 400. Kemi synim që ky volum të arrij në 1 miliard.
“Sot kemi ekspozuar në mënyrë shumë konkrete projektin më ambicioz që është porti i ri i Durrësit dhe porti i thatë i Prishtinës që do të transformojë marrëdhëniet në mes dy vendeve dhe vendos Kosovën dhe Shqipërinë në një qendër rajoni”.
Rama foli edhe për Abetaren e përbashkët, “shpresoj që ta shpërndajmë atë në një kohë sa më të afërt”. Ai foli edhe për projektin e përbashkët për Enciklopedinë shqiptarë. që do të ketë 10 vëllime.
Kurse në pyetjen për nismën “Ballkani i Hapur”, kryeministri Rama tha se kjo nismë as nuk e bashkon, por as nuk e ndan Shqipërinë me Kosovën.
“Nuk na bashkon, por as nuk na ndan. Kemi këndvështrime të ndryshme, por këto nuk na pengojnë që në marrëdhëniet bilaterale ne të vazhdojmë të ecim përpara, ashtu sikundër theksoj se porosia ime për qeverinë që drejtoj është që çdo gjë jetësojmë në Ballkanin e Hapur duhet ta jetësojmë edhe me Kosovën”, tha Rama.
Kurse, kryeministri Kurti tha se kjo çështje është e një dimensioni tjetër, dhe nuk ka të bëjë me marrëdhënie bilaterale.
Të gjitha marrëveshjet e dakorduara Kosovë-Shqipëri
Marrëveshjet e Ministrive të Arsimit
Ministrja e Arsimit të Shqipërisë, Evis Kushi dhe zëvendësministri i Arsimit të Kosovës, Dukagjin Pupovcim, njoftuan për fillimin e zbatimit të marrëveshjes mes dy vendeve në fushën e arsimit të lartë.
Bazuar në këtë marrëveshje, në 19 universitetet shqiptare, nga Gjirokastra e deri në Mitrovicë, duke nisur nga viti i ri akademik, procesi i regjistrimit të studentëve në universitetet publike, do të bëhet në mënyrë të barabartë.
Marrëveshjet në Ministrive të Punëve të Brendshme
Ministrat e Punëve të Brendshme të Kosovës e Shqipërisë, Xhelal Sveçla e Blendi Çuçi, njoftuan për zbatimin e marrëveshjeve mes dy vendeve në kalimin e lirë të kufirit.
Ministrat nënshkruajnë protokollin për kalim –lehtësimin e kufirit të banorëve brenda brezit kufitar.
Gjithashtu, këta njoftuan edhe për marrëveshjen për shkëmbime të dhënash reale për të martuarit në vendet respektive.
Marrëveshjet e Ministrive të Financave
Bashkëpunim të mirë në fushën doganore. Ka marrëveshje për ulje të burokracive në kalimin e mallrave. Do të nënshkruhet sot marrëveshje për bashkëpunim doganor.
Grupet punuese pritet të punojnë që para mbledhjes së ardhshme të dy qeverive në muajin nëntor, pritet të ketë një marrëveshje për bashkim doganor. Marrëveshje tjetër është ajo për sigurimet shoqërore.
Marrëveshje për energjinë
Mundësitë e bashkëpunimit në ndërtimin e infrastrukturës së gazit dhe TEC-it të Vlorës si dhe angazhim për diskutime teknike. U tha se synimi është që përmes marrëveshjes të përballohet kriza me energji elektrike. Kjo pë shkak se këtë vjeshtë, ministrat përkatës thanë se pritet që Evropa të ballafaqohet me probleme me gaz dhe energji, si pasojë e luftës Rusi-Ukrainë. U tha se marrëveshjet janë që tepricat e rrymës të barten nga njëri vend te tjetri si dhe detaje të tjera.
Marrëveshje në bujqësi
Dy marrëveshje për bashkëpunim për fushën e zbatimit të mbështetjes së programeve dhe ajo për mbështetje teknike mes dy agjencive për sigurimin ushqimor. Marrëveshje tjetër është edhe ajo për ndarjen e të dhënave në fushën e bujqësisë sa i përket çmimeve.
Marrëveshje mes ministrive të Infrastrukturës
Marrëveshje për studimin e gjendjes së rrugëve të fshatrave të brezit kufitar dhe fshatrave që janë në zona të thella malore. Marrëveshja ka të bëjë me rregullimin e infrastrukturës së këtyre fshatrave dhe qasje më të lehtë në qytete. Ndodhë që rrugët në njërën anë ndërtohet deri afër kufirit e pjesa tjetër mbetet pa rrugë.
Por kjo marrëveshje mundëson që një kompani që ndërton një rrugë në Shqipëri të ndërtojë edhe në pjesën e Kosovës apo e kundërta.
Marrëveshja për hekurudhën
Ministritë e Infrastrukturës nënshkruajnë marrëveshje për studimin e fizibilitetit për ndërtimin e hekurudhës Durrës-Prishtinë. Për studimin e fizibilitetit, Kosova do të financojë rreth 900 mijë euro e Shqipëria rreth 1 milion euro.
Marrëveshje në shëndetësi
Ministrat nënshkruajnë marrëveshje në fushën e shëndetësisë për ofrim të shërbimeve mjekësore të qytetarëve në zonat kufitare, shkëmbimin e ekspertëve e gjithashtu marrëveshje për bashkëpunim në fushën farmaceutike.
Me këtë marrëveshje, mjekët mund të punësohen në kohë të caktuara në spitalet ndërkufitare e më vonë do të shtrihet dhe në spitale të tjera.
Marrëveshje në turizëm
Platformë e përbashkët digjitale të turizmit. Platforma do të paraqesë dy vendet si cak për turizmin. Gjithashtu përveç shqiptarëve, do të jetë platformë edhe për informim të vizitorëve të huaj.
Marrëveshje për rininë
Bashkëpunim mes të rinjve në të dy vendet. Shkëmbim dokumentesh për rininë. Janë bërë bashkë të rinjtë në takime për debat dhe për të krijuar afërsi. Me marrëveshjen e re, ministritë e Rinisë zotohen për shkëmbim të të rinjve dhe projekteve për të rinjtë. Kushte më të favorshme për nxitje të të rinjve me aktivitete të përbashkëta. Me kalendarin e përbashkët të aktiviteteve, synohet përbashkimi i të rinjve.
Marrëveshje në fushën e mbrojtjes
Pas agresionit rus në Ukrainë, u tha se rajoni i Ballkanit është i brishtë. Për këtë arsye, janë intensifikuar kontaktet dhe aktivitetet e përbashkëta. Në këtë rast, u përmend edhe prezenca e Kosovës në selinë e NATO-s, krahas 55 vendeve, ku ishte në krah bashkë me vendet tjera të aleancës të mbajtur në Bruksel. Me këtë rast, dy shtetet arrijnë marrëveshje për mbrojtjen civile në kërkim shpëtim dhe ujërave territoriale.
Bashkëpunim në drejtësi
Bashkëpunimi gjyqësor mes dy vendeve të shtrihet dhe në fushën civile e tregtare dhe tashmë ka një marrëveshje të tillë mes të dy vendeve. U tha se do të ketë efekt direkt tek qytetarët. Bashkëpunimi në këtë fushë të shtrihet dhe tek njohja e licencave të avokatëve, ndërmjetësve e provimeve të jurisprudencës.
Marrëveshja për financimin e enciklopedisë shqiptare
U tha se kjo është një vepër e munguar prej shumë kohësh. Kjo është një vepër që parashikon në 11 vëllime dhe që do të përmbajë gjithë korpusin e përgjithshëm të popullit shqiptar. Do të jetë një vepër për të cilën do të angazhohen dy Akademitë e Shkencave kurse qeveritë e Kosovës e Shqipërisë do të bëjnë financimin.